Ilustrim

Dosja e fajdeve: Rasti i Currit kthehet ne rivendosje

Përmes një komunikate për media Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës së Prishtinës lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Ismet Osmanit, Zekë Jasiqit, Ilir Bojkut, Adil Thaqit dhe Mentor Maqanit.

Të dyshuarit e lartpermendur janë duke qëndruar në paraburgim që nga muaji maj 2019 nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të fajdeve, detyrimit, mashtrimit dhe detyrimit.

https://kallxo.com/ismet-osmani-curri-nuk-jam-denuar-asnjehere/

’’Gjykata e Apelit, duke vendosur sipas ankesës së avokatëve mbrojtës, i ka anuluar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 17.07.2019 dhe 19. 07 2019, sipas të cilave iu është vazhduar masa e paraburgimit për një muaj, të pandehurve I.O., I.B., A.Th. dhe M.M., si dhe për dy muaj të pandehurit Z.J. Çështja i është kthyer gjykatës se njëjtë në rivendosje’’, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Apelit.

Ismet Osmani, Ilir Bojku, Adil Thaqi e Mentor Maqani po dyshohen për veprat penale të fajdes, detyrimit dhe mashtrimit, ndërsa i pandehuri Zekë Jasiqi po dyshohet për veprën penale të detyrimit.

https://kallxo.com/apeli-i-le-ne-paraburgim-currin-dhe-grupin-e-tij/

Dosja e Prokurorisë

Prokuroria pretendon se në fund të vitit 2013, Ismet Osmani, Sami Nika, dhe Ilir Bojku, kishin blerë një tokë 3 hektarëshe në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në vlerë 600 mijë euro.

Për ketë tokë ata ia kishin paguar 250 mijë euro pronarit S.P., ndërsa pjesën tjetër të mbetur prej 350 mijë eurove e kishin ngarkuar të dëmtuarin Faton Dalladaku, të paguante në emër të fajdesë duke vazhduar t’ia mbanin shtëpinë në posedim sipas kontratës.

Sipas Prokurorisë, Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku, e kishin kërcënuar Faton Dalladakun dhe i kishin shkuar në shtëpi dhe ia kishin marrë çelësin e shtëpisë në momentin kur ky i fundit kishte dështuar t’ua kthente 350 mijë eurot e marra në fillim.

Në dosje të prokurorisë thuhet se disa muaj më vonë ata e kishin detyruar Faton Dalladaku që t’ua japë një pronë 3 hektarëshe e cila kishte vlerë rreth 900 mijë euro në këmbim të borxhit i cili deri atëherë kishte arritur në 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, edhe pse ia kishin marrë pronën me vlerë 900 mijë euro për 700 mijë euro borxh, ata nuk ia kishin kthyer shtëpinë në Pejton të cilën në vitin 2017, Sami Nika ia kishte shitur Adil Thaqit.

Tutje Prokuroria pretendon se i dyshuari tjetër Mentor Maqani gjatë vitit 2015 duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë të Faton Dalladakut kishte hyrë në marrëveshje verbale për t’ia blerë pronën 5 hektarëshe afër QMI-së (rruga Prishtinë- Lipjan), në të cilën kishte investime rreth 1 milion euro.

Sipas Prokurorisë Maqani ishte pajtuar që ta blinte atë pronë për 700 mijë euro. Që sipas marrëveshjes Maqani do ta blinte  borxhin prej 450 mijë euro, me të cilin Dalladaku i detyrohej Sami Nikës, Ismet Osmanit dhe Ilir Bojkut, kurse mbetjen prej 250 mijë euro t’ia paguante.

Lidhur me ketë marrëveshje, sipas prokurorisë, Mentor Maqani, kishte transferuar 100 mijë euro te Faton Dalladaku dhe për shumën e mbetur prej 150 mijë eurove i kishte dhënë dy vetura.

Në ketë dosje thuhet se Maqani i kishte rënë pishman për marrëveshjen dhe e kishte ndërprerë me ç ‘rast dy veturat të cilat ia kishte dhuruar për 150 mijë euro, ia kishte marrë prapa për 80 mijë euro dhe me anë të kërcënimit e kishte kërkuar kthimin e borxhit në shumë prej 582 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Dalladaku për shtyrjen e pagesës së këtij borxhi kishte kërkuar ndihmën e Adil Thaqit i cili ia kishte paguar Sami Nikës 260 mijë euro për blerjen e shtëpisë në Pejton.

Prokuroria Pretendon se Adil Thaqi i cili ishte paraqitur si ndërmjetësues, me anë të fakteve të rreme e kishte mashtruar Faton Dalladakun se kinse ai është pronar i ligjshëm i shtëpisë në Pejton edhe pse në transaksionet financiare shihet se ai nuk i ka pasur 260 mijë euro për t’i paguar.

Sipas Prokurorisë i pandehuri tjetër Zekë Jasiqi e kishte detyruar të dëmtuarin Faton Dalladakun t’ia paguajë një borxh i cili nuk kishte ekzistuar.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Z.J. në periudhën 2014-2015 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me kanosje serioze kishte kërkuar nga i dëmtuari F.D të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij duke i imponuar një borxh që nuk kishte ekzistuar”, thuhej në komunikatën për media të Gjykatës së Prishtinës.

Më tej Prokuroria përshkruan se Zekë Jasiqi nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes me të dëmtuarin Faton Dalladaku i cili kishte kërkuar borxh nga Zekë Jasiqi me qëllim që ta paguante ratën e fundit të shtëpisë që e kishte blerë.

Por, sipas Prokurorisë, i dyshuari Zekë Jasiqi më pas i kishte kërkuar të dëmtuarit Faton Dalladaku shumë të madhe të parave me kamatë mujore prej 1%, të hollat të cilat janë transferuar në emër të personit të tretë B.P.

Prokuroria pandeh se më pas shtëpia të cilën e kishte blerë Faton Dalladaku kishe kaluar në emër të Zekë Jasiqit.