Ilustrim - Foto: KALLXO.com bastisjet nga policia ne rastin Brezovica

Dosja Brezovica: Prokuroria, 70 mijë euro për leje për të ndërtuar ura dhe leje ujore

Dosja e prokurorisë së Ferizajt në çështjen e njohur si Brezovica zbardhë detaje të tjera për mënyrën se si  prokuroria pretendon që ishte zhvilluar korrupsioni në atë zonë.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar Kallxo.com përpos miliona eurove të cilat ishin dhënë për të siguruar lejet ndërtimore nga komuna e Shtërpcës ndërtuesit kishin dhënë para edhe në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor.

Në kërkesën e prokurorit përshkruhet se si ndërtuesit dhanë para për të marrë leje për të ndërtuar ura mbi lumin i cili kalon në zonën e Brezovicës. Të dhënat e prokurorisë flasin se 70 mijë euro janë dhën për të marrë leje për ndërtimin e dy urave mbi lumin Murzhica. Lejet ujore janë leje që lëshohen nga ministria ndërsa sipas dosjes paratë ishin dhënë për ish sekretarin Arben Çitaku i cili po ashtu është i arrestuar në këtë rast.

“Në bashkëkryerje të pandehurit e kanë ndihmuar të pandehurin Arben Çitaku në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, Komuna Shtërpcë, në atë mënyrë që kanë marrë 70.000 € (shtatëdhjetë mijë euro), nga të pandehurit Gentjan Sula, Rijad Hasani dhe Blerim Imeri, si dhe 10.000€ (dhjetë mijë euro) nga Sabit Geci, të cilat ia kanë dhënë të pandehurit Arben Çitaku me qëllim që të lëshoj pëlqimin ujor për ndërtimin e urave” thuhet në kërkesën e prokurorisë për paraburgim.

E njëjta sqaron se paratë ishin marrë edhe për sigurimin e lejeve ujore për ndërtimin e vilave të cilat janë ndërtuar skaj këtyre urave.

Operacioni Brezovica është një hetim i gjerë kundër korrupsionit Në arrestimet e para policia arrestoj ish kryetarin e Shtërpcës Branisllav Nikoliç dhe disa bashkëpunëtorë të tij. Grupi dyshohet se kishin marrë shuma të mëdha të parave për të lejuar ndërtimet në Brezovicë. Arrestimet nga komuna e Shtërpcës u shtrinë edhe në Ministrinë e Mjedisit ku është arrestuar ish-sekretari dhe disa zyrtarë të tjerë.