DnV: Përfaqësimi gjinor mbetet i ulët nga subjektet politike

Organizata Demokracia në Veprim në konferencë për media ka raportuar monitorimin e bërë për fushatën zgjedhore të subjekteve politike.

Sipas anëtarëve të Dnv-së, shqetësuese mbetet përfshirja e vogël e grave në fushatë zgjedhore, në debate publike, qasja e personave me nevoja të veçanta, publikimi i shpenzimeve të partive politike.

Ngadhënjim Halilaj anëtar i ‘Demokracia në Veprim’ ka prezantuar monitorimin e përfshirjes së gruas në aktivitete zgjedhore.

“Përfaqësimi gjinor mbetët tejet i ulët, ku gratë përbëjnë vetëm 20% të pjesëmarrjes së tyre në aktivitetet e monitoruara, vetëm në 27% ka pasur gratë të cilat i janë drejtuar elektoratit. Prezencë të ulët të grave ka pasur edhe në media, ku në 295 debate televizive të monitoruara nga 13 janari deri më 7 shkurt 2021, në 9 kanale televizive nga gjithsej 402 kandidat të subjekteve politike vetëm 21 prej tyre kanë qenë gra. Hapësirë e vogël i është dhënë grave edhe në kronika zgjedhore ku në periudhën 3 deri më 7 shkurt, gratë përbënin 6%, i njëjti trend vërehet edhe në spotet e subjekteve politike”, ka thënë Halilaj.

Tutje Halilaj ka bërë të ditur se kanë evidentuar edhe shfrytëzimin e resurseve publike në fushatë zgjedhore në shtatë aktivitete të monitoruara, prej tyre dy aktivitete kanë qenë të LDK-së, dy të AAK-së, dy të PDK-së dhe një aktivitet i NSIMA Socialdemokrate, ndërsa veturat zyrtare janë përdorur në pesë aktivitete të monitoruara, përkatësisht nga katër aktivitete të organizuara nga LDK dhe një aktivitet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Florent Spahija nga ‘Demokracia në Veprim’ ka bërë thirrje nga partitë politike që të bëhet respektimi i masave anti-COVID dhe raportimi i buxhetit të shpenzuar nga partitë politike në kohë të fushatës zgjedhore.

“Kemi dërguar te subjektet politike kërkesa zyrtare se sa do të shpenzojnë në fushatë zgjedhore, kemi marr përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Turke dhe Fjala. DnV bënë thirrje nga subjektet politike t’i bëjnë publike shpenzimet e fushatës zgjedhore, sa është kostoja dhe ku i marrin ato shpenzime”, ka thënë Spahija.