Parakalimi FSK-së dhe Policisë. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës do të parakalojnë në nder të 17 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Para nisjes së parakalimit të FSK-së e Policisë së Kosovës do të ketë fjalime nga krerët shtetërorë.

Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës. Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.

Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit. Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore. Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.

Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.

Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për më shumë se 9 vjet. Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.

Para shpalljes së Pavarësisë, një plan i quajtur “Plani i Ahtisarit”, i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili ishte dërguar si dërguar special i Kombeve të Bashkuara, ofroi një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.