Digjen pyjet e dy fshatrave të Vushtrrisë

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i ka quajtur kriminelë ordinerë personat që, sipas tij, me qëllim po ia vënë flaken pyjeve në Skoçen dhe Gumnishtë të kësaj komune.

“Ndezja me qëllim e pyllit në disa zona si Skoqen e Gumnishtë është krim i rëndë! Tani kur krejt kapacitetet i kemi fokusuar tek luftimi i pandemisë Coronavirus, ka njerëz të pandergjegjshëm e lirisht mund të themi kriminelë ordinerë që ndezin me qëllim pyllin” tha Tahiri në një postim në Facebook.

Tahiri ka thënë se të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në terren por në disa pjesë hyrja tokësore është e pamundur për të ndalur zjarrin. Ai ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për të identifikuar personat që e kanë bërë këtë veprim.

“Të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në terren, por ndërhyrja në disa zona është e pamundur fizikisht me mjetet që zjarrfikësit i kanë në dispozicion. Helikopterë nuk kemi. Ju lutem, ju qe keni njohuri për këta keqbërës, lajmëroni organet e rendit. Boll ma”, tha Xhafer Tahiri.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.