Ilustrim

Detaje nga Prokuroria për të dyshuarin që sulmoi gjykatësin në Vushtrri

 

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Sh. Sh.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se Sh. Sh. nga Vushtrria, dyshohet se ka kryer veprën penale  “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Sh. Sh, me datën 10.12.2019, rreth orës 15:15 në Vushtrri, e ka sulmuar gjykatësin Rifat Bllata, mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri.

Sipas prokurorisë bëhet fjalë për një urdhëresë, të cilën i dëmtuari, gjykatësi Rifat Bllata në kuadër të detyrës së tij zyrtare e kishte nxjerrë ndaj të pandehurit Sh.Sh.

I dyshuari Sh. Sh. fillimisht e ndjek nga pas të dëmtuarin Rifat Bllata, pastaj nga mbrapa e godet në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës dhe këmbëve.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari Sh. Sh. ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

I dyshuari është arrestuar pas sulmit dhe i njëjti gjendet në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.