Dështon të mbahet seanca ndaj ish-drejtorit të Muzeut të Kosovës

Mospajisja me shkresat e lëndës së të pandehurit Skender Boshtrakaj ka bërë që të dështojë mbajtja e seancës ndaj tij.

Gjykimi ndaj Boshtrakajt, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ishte caktuar të mbahej sot në gjykatën e Prishtinës.

I pandehuri Boshtrakaj akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, Drejtor i Muzeut të Kosovës, me dashje  duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas akuzës i pandehuri kishte anashkaluar procedurat e prokurimit me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për Kompaninë “TIKI“ SH.P.K nga Prishtina duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë.

Akuza thotë se i pandehuri kishte lidhur kontrata furnizim me këtë kompani në tre raste të ndryshme me vlerë totale prej 269,440.00 euro, duke i shkaktuar dëm Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak se i pandehurit Boshtrakaj dhe mbrojtësi i tij avokati Vigan Rugova nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës.

Andaj ata kanë kërkuar shtyrjen e kësaj seancë derisa të pajisen me shkresa të lëndës.

Gjyqtarja Alltene Murseli ka njoftuar se kjo seancë do të shtyhet dhe e radhës është caktuar për një datë tjetër.