Dështon Strategjia Boshnjake për Krimet e Luftës

Organi mbikëqyrës që monitoron zbatimin e strategjisë së krimeve të luftës të Bosnjë dhe Hercegovinës ka kryer një analizë të qëllimeve të saj strategjike dhe zbuloi se ajo nuk ka arritur të përmbushë objektivat e saj.

Analiza, të cilën BIRN e ka parë, thotë se qëllimi kryesor – të përfundojë çështjet më komplekse deri në fund të vitit 2015,- nuk është përmbushur.

Strategjia për Çështjet e Krimeve të Luftës u miratua në dhjetor të vitit 2008. Çështjet më komplekse të krimeve të luftës duhet të kishin përfunduar brenda shtatë vjetësh dhe ato që mbeteshin, brenda 15 vjetësh.

Por analiza, e cila u kërkua nga Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe thekson se prokuroria po punon ende me 346 çështjet më komplekse të krimeve të luftës kundër 3,383 individëve.

“Në periudhën e kohës para dhe pas miratimit të strategjisë, prokuroria nuk procesoi çështjet më komplekse të krimeve të luftës brenda një periudhe të caktuar kohore,” thuhet në analizë.

“Para miratimit të strategjisë dhe gjatë një periudhe të caktuar pas miratimit të saj, prokuroria nuk kishte mjaftueshëm staf për të punuar me ato çështje, por situata ka ndryshuar nga viti 2013 e në vazhdim, duke qenë se ka pasur një forcim të konsiderueshëm të kapaciteteve të saj,” shton ajo.

Milorad Kojiq, anëtar i organit mbikëqyrës që monitoron zbatimin e strategjisë, tha se tani duhet të vendoset nëse do të përgatitet një strategji të re, apo do të rishikohet ajo ekzistuese.

“Mua më shqetëson fakti se Prokuroria Shtetërore Boshnjake po merret me 360 çështjet më komplekse, përfundimi i të cilave nuk do të arrihet kaq shpejt,” tha Kojiq.

“Padyshim që do të duhet të bëhet një rishikim i strategjisë ekzistuese, por para së gjithash, duhet të përcaktohet se kush është përgjegjës për dështimin në përmbushjen e afateve të përcaktuara në strategjinë aktuale,” shtoi ai.

Ai tha se nuk beson se çështjet më komplekse do të mund të kishin përfunduar edhe deri në vitin 2018, me një ndikim potencial negativ në sigurimin e drejtësisë.

“Kalimi i kohës dhe pasojat e saj, si ndërprerja e hetimeve për shkak të vdekjes së të dyshuarve, gjë e cila tashmë ka ndodhur në disa raste, është një shqetësim i veçantë,” tha Kojiq.

Sipas analizës të organit mbikëqyrës, transferimi i çështjeve nga organet gjyqësore në nivel shtetëror në sistemin gjyqësor në nivel entiteti është bërë më efikas, por mbetet ende i pakënaqshëm.

“Procesi ende nuk ka përfunduar dhe ai duhet të jetë shumë më efikas. Çështja e referimit dhe marrja përsipër e çështjeve duhet të zgjidhet urgjentisht në një mënyrë integrale, sepse, në këtë rast do të jetë e mundur të procedohen çështjet më komplekse dhe ato me përparësi më të madhe brenda një periudhe më të shkurtër kohe sesa më parë,” thuhet në analizë.

“Prokuroria Shtetërore Boshnjake duhet të ndajë qartë çështjet më pak komplekse, ato më shumë komplekse dhe ato me më shumë përparësi,” shton ajo.

Në dhjetë vitet që ka ekzistuar prokuroria boshnjake, ajo ka akuzuar më shumë se 500 persona për krime lufte. Por prokuroria është kritikuar se ka akuzuar kriminelë të nivelit të ulët dhe se i ka ndarë hetimet komplekse në incidente të veçanta në mënyrë që të përmbushë kuota vjetore.