Dështon seanca ndaj ish-komandantit të stacionit Policor në Gjakovë
Kristë Gjokaj, major në Policinë e Gjakovës dhe ish- komandant i Stacionit të Policisë në Gjakovë, Bekim Preqi, kapiten, si dhe zyrtarët policorë, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj, kanë dalur sot para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me aktakuzën për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ndërsa i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Këto vepra sipas Prokurorisë përfshijnë rrahje me grushta të një personi të arrestuar që ishte i prangosur brenda Stacionit të Policisë në Gjakovë.
Por, seanca e sotme ndaj tyre dështoi të mbahet për shkak të propozimit të avokatëve që në seancë të dëgjohet një ekspert i teknologjisë lidhur me cilësinë e videoinçizimeve të marra brenda stacionit Policor në Gjakovë (ku edhe sipas Prokurorisë ka ndodhur ngjarja).
Seanca që dështoi të mbahet u shty për 26 maj 2021.
Ndryshe, sipas aktakuzës i akuzuari Kristë Gjokaj, duke qenë në pozitën e komandantit në stacionin policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, në atë mënyrë që përderisa i njëjti ishte i arrestuar dhe i prangosur për shkak të dyshimit se kishte kryer dy vepra penale, e godet me grusht në fytyrë me ç’rast të dëmtuarin e rrëzon në dysheme.
Gjithnjë sipas aktakuzës, katër të akuzuarit tjerë Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj akuzohen se gjatë detyrës zyrtare, si zyrtarë policor, në bashkëkryerje kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, me qëllim që nga i njejti të nxjerrin informacione për personat tjerë të përfshirë në kryerjen e dy veprave penale.
Aktakuza përshkruan veprimet e të akuzuarve, në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari Milot Ukaj pas mesnate, të dëmtuarin fillon ta godasë me duar dhe këmbë, ku pastaj edhe dy herë të tjera pas diku rreth 25 minutave e sulmon dhe e kap për fyti duke e goditur vazhdimisht, dhe si pasojë i dëmtuari mbetet i shtrirë në tokë.
Gjithnji sipas aktit akuzues, të dëmtuarin e kanë sulmuar edhe të akuzuarit tjerë duke e goditur me grushta dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, me çka i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore për çka edhe ishte dërguar për ndihmë mjekësore.
Ndërkaq, i akuzuari Shaban Limanaj akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi që duke qenë në pozitën e përgjegjësit për qendrën e ndalimit në Gjakovë, i ka mundësuar të akuzuarve të futen në qelinë e të dëmtuarit Muhamer Raifi, ku të njejtit pastaj e kanë keqtrajtuar fizikisht.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: LINK