Prekaz
Deputetja: Do ta Vizitojmë Prekazin Për ta Parë Gjendjen e Kullës
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Gaxherri, nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Mjedis, tha sot se anëtarët e këtij Komisionit do ta vizitojnë Prekazin për ta parë nga afër gjendjen e Kullës së Jasharajve, për të cilën javën e kaluar u raportua se është në gjendje të rëndë dhe para shkatërrimit.
“Kemi dëshmi që vërtet kompleksi është në rrezik. Ne si komision e kemi marrë iniciativën dhe ligjin me urgjencë”, tha Gaxherri.
Të premten, ky komision ka miratuar një nismë legjislative për mbrojtjen e kullës.
“Do të mundohemi brenda kornizës ligjore te ndërmarrim hapa. Ne duhet ta shpëtojmë kompleksin. Janë 20 vite, çdo vit qeveria ka dhënë para për këtë kompleks e tash me pas në rrezik kompleksin është e pafalshme”, shtoi ajo.
Ndërsa anëtari i këtij komisioni, Liburn Aliu, tha se pret që qysh në mbledhjen e ardhshme, kryesia e Kuvendit ta procedojë këtë ligj për votim në seancë.
“Ky draft është shqyrtu në hollësi nuk ka pse me pas vonesë. Besoj qe mbledhja e ardhshme e kryesisë të vijë në rend dite”, tha Aliu.
Sa i përket gjendjes së memorialit Aliu ka thënë se duhet të analizohet gjendja.
“Shpresoj që përmes kësaj nisme ligjore të hapen mundësi te intervenohet dhe të behet konzervimi i monumenteve”, tha ai.
Të premten Gazeta jeta në Kosovë shkroi për gjendjen e Kullës së Jasharajve në Prekaz.