Logo e LDK-së - Foto: Facebook

Deputeti i LDK-së e fsheh biznesin, nuk e deklaron në AKK (DOKUMENT)

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, e ka fshehur biznesin e tij kur e ka bërë deklarimin e pasurisë në 3 vitet e fundit si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Avdyli është pronar i një ordinance private “Spinal Center” që nga viti 2014. Mirëpo, ai asnjëherë nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se është pronar i vetëm i ordinancës.

Avdyli, për 3 vite radhazi (2017, 2018 dhe 2019), ka fshehur nga Agjencia Kundër Korrupsion pronësinë e ordinancës.

Për këto 3 vite, ai ka deklaruar vetëm se merr pagë nga kjo ordinancë, ku ka deklaruar se punon si neurokirurg. Ka thënë se i merr nga 1 mijë euro në muaj.

Avdyli e kishte ‘zhveshur’ fshehtësinë e tij, kur pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kur ishte rizgjedhur deputet ka bërë deklarimin e pasurisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në deklarimin e pasurisë pranë këtij institucioni, deputeti Avdyli kishte deklaruar se është pronar i një ordinance private, vlera e së cilës është 100 mijë euro.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, ordinanca private “Spinal Center” është themeluar në shkurt të vitit 2014 dhe pronari i vetëm i këtij biznesi është deputeti Haxhi Avdyli.

Deputeti Avdyli ka arritur që për 3 vite radhazi ta fshehë pronësinë e biznesit të tij.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me deputetin Avdyli, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin, por vetëm është përgjigjur përmes mesazheve telefonike.

Fillimisht ka thënë për KALLXO.com se është shtyrë procesi i deklarimit të pasurisë për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndërsa kur është pyetur për 3 vitet e fundit (2017, 2018 dhe 2019), Haxhiu thotë se i ka deklaruar të hyrat dhe deklaron se nuk e di nëse është kërkuar të deklarohet edhe pronësia.

“I kam deklaru të ardhurat nga ordinanca. Më duket 1,000 euro në muaj.  Në formular janë kërku të ardhurat dhe ato i kam deklaru. Nuk e di a ka qenë me cekë a je pronar por nga i ke të ardhurat. Të ardhurat janë deklaru sepse kjo është kërku”, tha Avdyli për KALLXO.com.

Mirëpo, në formularin për deklarimin e pasurisë është e specifikuar qartë. Zyrtarët e kanë edhe tabelën ku duhet plotësuar “Posedimi i aksioneve në shoqëri komerciale”.

Këtë rubrikë, për 3 vite radhazi deputeti Avdyli e kishte lënë të zbrasët.

Në këtë rubrikë të formularit të pasurisë, zyrtarët publik janë të obliguar që t’i deklarojnë aksionet në kompani apo pronësinë e biznesve që mund ta kenë.

Deputeti Avdyli nuk iu ka përgjigjur pyetjeve të tjera të KALLXO.com

Mirëpo, Avdyli kishte deklaruar biznesin vetëm kur kjo e dhënë iu kishte kërkuar nga formulari i KQZ-së.

Ordinanca Specialistike “Spinal Center” është themeluar në vitin 2014 dhe ndodhet në qytetin e Prizrenit, prej nga vjen edhe deputeti Haxhi Avdyli.

Sipas deklarimit në ARBK, kjo ordinancë numëron 2 punëtorë.

Mosdeklarimi i pasurisë është vepër penale dhe dënohet me ligj.

Të dhënat në ARBK që vërtetojnë se deputeti Haxhi Avdyli është pronar i vetëm i biznesit
Deklarimi i pasurisë së deputetit Haxhi Avdyli në KQZ

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë në AKK në vitin 2017
Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë në AKK në vitin 2018
Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë në AKK në vitin 2019