Dënohet zyrtari komunal i Pejës

Zyrtari komunal i Pejës Naser Kastrati është dënuar nga gjykata në këtë qytet për keqpërdorim detyre.

“…nga gjykata e konmform dispozitave përkatëse ligjore gjykohet me dënim burgu në kohëzgjatje prej 12 muajve i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi”, u tha në shpalljen e aktgjykimit nga trupi gjykues.

Gjykata po ashtu e dënoi Kastratin edhe me 850 euro gjobë për shpenzimet e procedurës gjyqësore.

Trupi gjykues tha se i dënuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit të paraparë ligjor.

Naser Kastrati akuzohej nga Prokuroria Themelore e Pejës se më 17 shtator 2013, si person zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë së tij pasurore për operatorin ekonomik “NN Vala”, në Pejë, i ka shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në vlerë prej 16.305.00 euro.

Sipas aktakuzës, Naser Kastrati, si mbikëqyrës i projektit për renovimin e shkollës fillore “Fan S. Noli”, në fshatin Kryshevc, ku vlera e projektit ka qenë 23.400 euro, ka aprovuar punë shtesë të operatorit ”NN Vala” në vlerë prej 20.814 euro, pa tender dhe pa i përfillur dispozitat ligjore, duke nënshkruar fillimisht arsyeshmërinë për punë shtesë, e më pas ka nënshkruar edhe situacionin e punëve shtesë.

KALLXO.com raportoi dy ditë me parë nga seanca ku palët thanë fjalën përfundimtare, e ku ndër të tjera, Naser Kastrati, kishte deklaruar se nuk është fajtor dhe se ishte “viktimë” e këtij rasti.