Dënohet me 18 vjet burgim për vrasje

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurës M.P., e akuzuar për veprën penale vrasje e rëndë dhe veprës tjetër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

M.P., është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 18 vjet burgim në veprat me të cilat ngarkohej nga Prokuroria e Ferizajt.

Gjykata njofton se pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të akuzuarën M.P., për veprën penale vrasje e rëndë e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatëmbëdhjetë vitesh, kurse për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve e dënoj me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vitesh. Gjykata mori vendim që dënimi unik i të pandehurës të jetë prej 18 vitesh.

M.P., akuzohej se më 31.08.2018, në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë dinake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K., në atë mënyrë që duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqenëse të njëjtit janë njohur dhe kanë qenë në lidhje dashurie më parë, e pandehura me përgatitje paraprake, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit, pastaj kërkon që të takohen.

Tutje sipas Prokurorisë, ajo nuk i kishte dhënë ndonjë arsye konkrete për takim, ndërsa ditën kritike në kohën dhe vendin e njëjtë (ku kishte ndodhur vrasja), lë takimin me të, më pas me veturën e tij, futen në një rrugë qorre dhe derisa gjenden brenda veturës, e qëllon dy herë me armë zjarri, një herë në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, e akuzuara menjëherë pas kryerjes së veprës penale e ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte arratisur për në shtetin e Gjermanisë, me ç’rast pas vërtetimit të vendndodhjes së saj, e njëjta arrestohet nga autoritetet gjermane dhe më 18 dhjetor 2019 ekstradohet në Republikën e Kosovës.