Deliu Kundër Politikës në Shkolla

Deliu-Kodra e ngriti këtë shqetësim në Kuvend në kohën për deklarime jashtë rendit të ditës. Tha se shqetësimi i saj është edhe i shumë prindërve

Me çfarë të drejte mund të keqpërdoren fëmijët tanë në institucione arsimore? Unë dhe prindërit kërkojmë të ndalen këto praktika nga ‘Vetëvendosja’. Unë do t’i drejtohem ombuspersonit dhe MaSHT-it,” tha Deliu-Kodra.

Për çështjen e  përzierjes së politikës në arsim, reagoi edhe ministri i Arsimit Arsim Bajrami.

“Ftoj të gjitha drejtoritë komunale të arsimit t’i shmangin këso aktvitete politike se këto cenojnë integritetin e fëmijëve. Ftojmë partitë opozitare t’i shmangin këto praktika,” tha Arsim Bajrami.

KALLXO.com kontaktoi edhe zëdhënësin e Lëvizjes “Vetëvendosje” Frashër Krasniqin për ta pyetur në lidhje me deklaratat e deputetes Deliu.

Krasniqi tha se “Vetëvendosja” është duke e përgatitur një reagim në lidhje me këto deklarata.

Deliu tha më tutje se Komuna e Prishtinës ka lejuar tubime të tilla duke bërë politizimin e shkollave.

KALLXO.com kontaktoi edhe me Erzen Vraniqin, zëdhënësin e Komunës së Prishtinës, i cili premtoi një përgjigje por ende nuk e ka bërë këtë.

Komuna e Prishtinës në një reagim të sajin thotë se “hedh poshtë çdo akuzë dhe insinuatë se po lejon keqpërdorimin e shkollave apo të nxënësve për interesa partiake”.

Komuna e pranon se lejoi tubimin e “Vetëvendosjes” në Shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, por tha se tubimi ndodhi pas procesit mësimor.

“Duam të theksojmë se shkollat si objekte shfrytëzohen për debate publike qoftë nga institucionet, qoftë nga subjektet politike, apo edhe nga subjekte të tjera, pa e penguar procesin mësimor, pra pas përfundimit të tij,” thuhet në reagimin e komunës.

Komuna thotë se tubimi nuk është mbajtur me nxënës të fillores, por me ata të shkollave të mesme.

“Nxënësit e shkollave të mesme i përkasin grupmoshës nga 16-18 vjeç, moshë kjo për të cilën me Kushtetutën e Kosovës lejohet nxjerrja e dokumenteve personale të identifikimit dhe të udhëtimit, dhe  lejohet anëtarësimi në subjekte politike, së këndejmi edhe pjesëmarrja në debate publike, qofshin ato edhe politike,” thuhet më tutje në reagim.

Pika 3 e nenit 4 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar ndalohen aktivitetet promovuese jashtë Kornizës së Kurrikulumit të Kosovës në përfitim ose në dëm të çfarëdo partie politike, gjinie, përkatësie racore a etnike, feje ose pozite sociale nëpër institucionet arsimore dhe aftësuese.

Në vitin 2013 Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për fletanëtarësime të PDK-së në Gjimnazin “Sami Frashëri”.

Qeveria “Paralajmëron” Ndëshkim për Anëtarësimin e Nxënësve në PDK