Dëbimi i ‘gylenistëve’, synohet ndryshim i ligjeve lidhur me largimin e shtetasve të huaj nga Kosova

Deputetët në Komisionin për Legjislacion diskutuan një nismë ligjore që do të mund të parandalonte një situatë siç ishte dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, në mars të vitit të kaluar.

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me dëbimin e shtetasve turq kishte gjetur 31 shkelje ligjore në planin 17 ditorë të AKI-së në këtë operacion.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi ka propozuar që të bëhet plotësim- ndryshimi i ligjeve që kanë të bëjnë me dëbimin ose largimin e shtestave të huaj nga Kosova.

“Të bëhet hartimi i një grupi punues që merret me plotësim-ndryshim të ligjeve që kanë të bëjnë me largimin e shtestave të huaj nga Kosova. Nuk do të ishte keq që edhe dikush nga Avokati i Popullit të jetë pjesë e ketij grupi punues”, tha Kurteshi pasi në mbledhje ka marrë pjesë edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës tha se lidhur me këtë çështje do të duhej të përfshihej Komisioni për Punë të Brendshme.

“Të mos biem në nodnjë konflikt me Komisionin për Punë të Brendshme, të mos mendohet se po ia marrim punën”, tha ai.

Kurse, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se dëbimi i 6 shtetasve turq ka ndodhur jo pse ligjet kanë qenë të këqija, por sepse janë shkelur.

“T’i njoftojmë edhe komisionet e tjera të jenë pjesë e një grupi punues. Nuk mund të krijohet komision pa u konsultuar a duam apo jo ta marrim përgjegjësinë për një nismë të tillë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Arben Gashi (LDK), shprehi skepticizëm për nismën e propozuar në Komision.

“Nuk kemi nismë konkrete, mund ta bëjmë një grup punues që merret me monitorimin e zbatimit të ligjit për këtë çështje. Për ne po tingëllon abstrakte, diçka e panjohur sepse nuk po dihet për cilat ligje po bëhet kjo”, tha ai.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se për këtë çështje duhet drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Është mundësi e mirë.  Ministrisë së Punëve të Brendshme t’i kërkohet që ti tregojë dobësitë dhe mangësitë e këtyre ligjeve. Zakonisht ky është procesi dhe përgjegjësia”, u shpreh Jashari.

Pas këtyre diskutimeve, kryetarja e Komisonit Albilena Haxhiu tha se deputetët Sami Kurteshi dhe Hajdar Beqa caktohen që t’i identifikojnë ligjet që kanë nevojë për plotësim-ndryshim.

“Samiu dhe Hajdari t’i identifikojnë ligjet dhe më pas ta sjellin në komision një raport dhe të shihen veprimet të cilat i kemi ne si komision. Po shihet qe nuk ka pengesa, prandja ju uroj punë të mbarë”, theksoi Haxhiu.

Gjatë mbledhjes së Komisionit, nga rendi i ditës u hoq shqyrtimi i Raportit me amendamente në Projektligjin nr. 06/L-075 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar, pasi këtë e kishe kërkuar një anëtar i Komisionit, i cili sipas kryetares Haxhiu ka pasur rast vdekje dhe nuk ka mundur të jetë i pranishëm në mbledhje.

Kjo pikë do të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës.

Komisioni për Legjislacion bëri edhe shqyrtimin e letër- rekomandimit të Avokatit të Popullit, lidhur me Kodin e Drejtësisë për të Miturit.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tha se Kodi i Drejtësisë për të Mitur ka krijuar vakum juridik për zbatim.

“Kodi i ri shpërfaq një problem, është diskrepancë e madhe kohore, 6 muaj kohë mbesin pa mbulim dhe janë të paligjshme. Ne e kemi parë këtë zbrazëti dhe të mbulohet kjo. Kjo është situata që e ka krijuar kodi i ri, ndërkohë që vendimet mund të shpallën të paligjjshme sepse efekti dhe dëmi është mjaft i madh. Te personat e mitur për kryerjen e ndonjë vepre të ndëshkueshme, dikush mund të aludojë për veprim të paligjshëm”, tha Jashari.

Pas diskutimeve nga ana e deputetëve, për këtë çështje, kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu dhe Avokati i Popullit thanë se do të mbesin në kontakt për problematikën e këtij kodi.

Eksperti amerikan: Tri prova pse “gylenistët” e deportuar nuk ishin të rrezikshëm