Covid-19 rriti lajmet e rreme në media

Që nga 13 marsi kur në Kosovë u regjistrua rasti i parë me virusin COVID-19, lexueshmeria në media u shtua.

Shpallja e gjendjes emergjente dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, bëri që lajmeve në media ti kushtohej më shumë rëndësi.

Si rezultat i saj shumë media në vend duke tentuar që të marrin sa më shumë lexues filluan të shpërndajnë edhe lajme të rreme.

Ende pa u paraqitur zyrtarisht rasti i parë me Covid, disa media ishin kujdesur që të shpërndanin lajme të rreme se kishte qytetar të prekur nga virusi.

Për lajm të kësaj natyre Këshilli i Mediave të Shkruara kishte aprovuar një ankesë kundër portalit Arbresh.info.

Pas publikimit të këtyre lajmeve kishte reaguar Këshilli i Mediave të Shkruara.

KMSHK si trup vetërregullues i mediave një ditë para shënimit të rastit të parë me Covid-19, u kishte bëre thirrje mediave të shkruara në Kosovë që të raportojnë në mënyrë profesioanle dhe kundër të pavërtetave.

Shkresa e KMSHK-së, drejtuar mediave kishte ardhur pasi në Kosovë po qarkullonin lajme të rreme se qytetarë të vendit ishin prekur me virusin Corona edhe pse zyrtarisht nuk ishte ndonjë rast i konfirmuar.

Reagim të ngjashëm trupa vetërregulluese e mediave të shkruara kishte bërë edhe katër ditë pas paraqitjes së rasteve të para të rasteve me Covid-19.

Në njoftimin e dytë, KMSHK kishte bërë thirrje që të raportohej e vërteta dhe të  mbrohej privatësia e të infektuarve me COV-id.

Edhe përkundër këtyre thirrjeve të vazhdueshme të KMSHK-së, disa media kishin vazhduar që ti shkelnin parimet e kodit etik të gazetarisë.

Si rezultat i këtyre shkeljeve në Këshillin e Mediave të Shkruara ishin paraqitur një numër i madh i ankesave.

Kryetari i bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara, ka thënë për KALLXO.com, se nga koha kur në Kosovë janë paraqitur rastet e para me virus e deri me tani kanë pranuar dhe miratuar ankesa ndaj disa portaleve.

“KMSHK ka pranuar disa ankesa sa i përket raportimit që lidhet me pandeminë Covid-19. Në përpjekje për të publikuar sa më shumë informacione rreth pandemisë, sidomos nga burime ndërkombëtare shpesh të pa identifikueshme, mediat kanë publikuar edhe informacione të pa verifikuara. Të tilla shkrime ka pasur më shumë në fillim të pandemisë, por me kalimin e kohës ndjeshmëria dhe kujdesi i mediave në raportim janë rritur. Në adresë të KMSHK-së kanë ardhur edhe ankesa nga bizneset, që kanë të bëjnë me raportimet përkitazi me trajtimin e punëtorëve gjatë pandemisë, por për këto ankesa nuk është vendosur ende “, ka thënë Mushkolaj.

Disa nga mediat për të cilat KMSHK ka konstuar shkelje për raportimet gjatë fazës së pandemisë janë Gazeta Metro, Gazeta Sinjali, Gazeta Express, Arbresh.info dhe Kosovapost.

Gazeta Metro kishte publikuar një artikull me titull “Koronavirus nuk transmetohet te homoseksualët”. Në  lidhje me këtë artikull KMSHK kishte vendosur se ka shkelje të kodit të etikës sa i përket raportimit të së vërtetës.

Sipas vendimit të KMSHK-së, Gazeta Metro ka publikuar shkrimin të cilin nuk e ka bazuar në fakte dhe ka bërë pretendime të rreme.

Vendim i ngjashëm për raportim të së vërtetës KMSHK, ka dhënë edhe kundër Gazetës Express.

Gazetaexpress kishte publikuar artikullin me titull “Macet mund të infektohen me koronavirus”.

Ky artikull sipas KMSHK-së, artikulli I Gazetës expres nuk i plotësonte kriteret e raportimit të së vërtetës.

KMSHK përpos konstatimeve për raportim të rremë, konstatojë edhe shkelje të privatësisë së personave që dyshohen se ishin prekur nga virusi.

KMSHK kishte konstatuar se Gazeta Sinjali kishte shkelur privatësinë e personave në artikullin me titull “Ekskluzive\Serbia i fut në karantinë Mitrovicën Veriore dhe Zveçanin, i izolon rreth 200 qytetarë në komuna të Kosovës”.

KALLXO.COM, në prill të këtij viti kishte raportuar për abuzimet online që po bëheshin në kohën e pandemisë.

https://kallxo.com/lajm/abuzimet-online-me-pandemine-ne-kosove/