Cila gjykatë e Kosovës publikoi më shumë aktgjykime në muajin shkurt?

Gjykatat e Kosovës kanë vazhduar me publikimin e aktgjykimeve edhe gjatë muajit shkurt të këtij viti.

Gjatë muajit të dytë të vitit 2020, gjykatat e Kosovës kanë publikuar gjithsej 2,091 aktgjykime, çka përbën një rënie krahasuar me muajin paraprak, ku ishin publikuar gjithsej 2,173 aktgjykime.

Gjykata Themelore e Prishtinës vazhdon të jetë gjykata me numrin më të lartë të aktgjykimeve të publikuara, me gjithsej 498 aktgjykime të publikuara.

Gjykata Themelore e Prizrenit është gjykata e dytë me numrin më të lartë të aktgjykimeve të publikuara, ku ka arritur të publikojë gjithsej 463 aktgjykime.

Gjykata Themelore e Ferizajt kthehet në top treshen e gjykatave me numrin më të lartë të aktgjykimeve të publikuara. Kjo gjykatë në muajin shkurt ka publikuar gjithsej 224 aktgjykime.

Gjyqtari që ka publikuar më së shumti aktgjykime gjatë muajit shkurt 2019, është gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prizrenit – Rufki Piraj me gjithsej 59 aktgjykime të publikuara.

Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 -19 shkurt    2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës duke u fokusuar në departamentet penale, civile, ekonomike, dhe administrative.

Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve.

Gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim

Në vazhdim janë të dhënat në formë grafike për publikimin e aktgjykimeve që janë realizuar nga të gjithë gjykatat, gjatë muajit janar 2020:

Sqarim: Monitorimi i publikimit të aktgjykimeve për periudhën 1 shkurt – 29 shkurt 2020 është bërë për të gjitha gjykatat e Kosovës. Në fokus kanë qenë departamentet penale, civile, ekonomike dhe administrative. Po ashtu, ky monitorim ka përcjellë publikimin e aktgjykimeve sipas gjyqtarëve të gjykatave dhe departamenteve. Kryetari i Gjykatës Supreme, Apelit, kryetarët e gjykatave themelore si dhe gjyqtarët e Divizionit për Kundërvajtje nuk janë përfshirë në këtë monitorim.

Gjatë monitorimit të aktgjykimeve të publikuara në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për periudhën e lartpërmendur është vërejtur se në total janë të publikuara 2,110 aktgjykime, që i bie të jenë 19 aktgjykime më shumë se ato që FOL dhe BIRN kanë shënuar në bazën e të dhënave. Ky dallim vjen si rrjedhojë e publikimit të aktvendimeve si dhe aktgjykimeve të dublifikuara.

Edhe gjatë muajit shkurt është vërejtur se gjykatat kanë publikuar aktgjykime për gjyqtarët të cilët janë avancuar në pozita më të larta, kanë kaluar në departamentin e kundërvajtjes, kanë dalë në pension apo janë suspenduar. Kjo është arsyeja pse ka dallime në numrin e gjyqtarëve në gjykata dhe numrin e gjyqtarëve që kanë publikuar aktgjykime gjatë muajit shkurt.

*Mohim i përgjegjësisë: Ky monitorim është mundësuar me mbështetjen e popullit Amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajta e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e Lëvizjes FOL dhe BIRN Kosova dhe jodomosdoshmërisht reflekton këndvështrimet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Bashkëpunim Ndërkombëtar apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.