Klement Balili, gjatë një seance në gjykatën e Krimeve të Rënda. Foto:LSA

Çështja ndaj Balilit, prokuroria kërkon konfiskimin e hotelit “Santa Quaranta”

Pak muaj pas vetëdorëzimit të Klemend Balilit dhe fillimit të gjyqit ndaj tij për trafik narkotikësh, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon në gjykatë të konfiskojë hotelin luksoz “Santa Quaranta” të inaguruar në prani të zyrtarëve të lartë dhe mijëra metra truall e apartamente në Sarandë.

Balili pretendon pafajësi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi se do i kërkojë gjykatës konfiskimin e hotelit “Santa Quaranta” në Sarandë dhe një mori pasurish të tjera të lidhura me Klemend Balili, i cili akuzohet si kreu i një grupi të strukturuar kriminal në trafikujn e narkotikëve.

Kërkesa për konfiskim të pasurive të cilat ishin nën sekuestro konservative prej nëntorit 2017 do i kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa paralelisht po zhvillohet me gjykim të shkurtuar edhe çështja ndaj vetë Balilit, i cili u dorëzua në janar pas tre viteve në arrati.

Balili akuzohet nga prokuroria për kryerjen veprave penale “Trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar criminal”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Mbrojtësi i tij, avokati Theodhori Sollaku, pretendon se nuk ka asnjë provë që e lidh Balilin me trafikun e narkotikëve. Po ashtu familja prtendon se pasuria e saj është e ligjshme dhe se një pjesë e saj përfshi hotelin luksoz nuk i përket Klemend Balilit.

Prokuroria njoftoi të premten se vendimi për të kërkuar konfiskimin e pasurive të Balilit, i pagëzuar si “Eskobar i Ballkanit” u mor pas një hetimi pasuror që filloi në nëntor të vitit 2017.  “Prokuroria për Krime të Rënda në perfundim te hetimit te procedimi pasuror nr.5 datë 16.11.2017, i cili ka filluar mbi bazën e verifikimeve të kryera e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ne kuadër të procedimit penal në ngarkim te shtetasit Kelmend Balili”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Hoteli Santa Quaranta, për të cilin kërkohet konfiskimi.

Pasuritë e listuara për konfiskim janë një truall me sipërfaqe 11.994 m2 me në qytetin e Sarandës, hoteli “Santa Quaranta” apo ish-Kampi i Pushimit të Punëtorëve me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2 në qytetin e Sarandës, një truall 1716.91 m2 po në Sarandë, një njësi shërbimi 120 metra dhe 23 apartamente.

Operacioni ndaj grupit që dyshohet se drejtonte Balili u zhvillua në maj 2016 fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë. Atëherë u njofuar arrestimi i 6 shqiptarëve, përfshi Dhimitër Potin dhe të vëllain, dy peshkatarët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj nga Saranda dhe disa persona të tjerë të akuzuar për përfshirje në rrjetin e narkotikëve.

Balili vetë, i cili në atë kohë ishte me detyrë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit në Sarandë, arriti t’i shpëtonte në mënyrë misterioze arrestimit. Dosja ndaj tij dhe mosarrestimi shkaktuan një furtunë politike në kryeqytet, ndërsa dy partitë në qeverisje PS dhe LSI u përplasën për gati dy vjet mbi përkatësinë partiake të Balilit dhe cila prej tyre po e mbronte atë.

Opozita akuzoi qeverinë si të lidhur me të akuzuarin për narkotrafik që u pagëzua edhe si “Eskobari i Ballkanit”.  Ndërkohë përfshirja e DEA në operacionin e antidrogës bëri që edhe Ambasada e SHBA në Tiranë të ishte mjaft aktive në këtë rast. Më shumë se njëherë ish-ambasadori Donald Lu i akuzoi autoritetet shqiptare për neglizhencë në këtë rast.  Në tetor 2017 ai akuzoi, prokurorinë, policinë dhe Ministrinë e Drejtësisë, për mos arrestimin e Balilit.

Hoteli “Santa Quaranta” për të cilin kërkohet konfiskimi nga prokuroria u inagurua në vitin 2015, në prani të politikanëve të lartë të vendit përfshi Presidentin Ilir Meta, ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj dhe funskionarë të tjerë.

Një investigim i BIRN gjeti se resorti turistik, i ngritur mbi godinën e rrënuar të ish-kampit të punëtorëve në Sarandë, ishte përfituar përmes një procesi jo shumë të qartë dhe pas një konflikt gjyqësor 17-vjeçar për pronësinë mes Bashkim Balilit dhe një sindikate të vogël, të quajtur Sindikata e Pavarur e Ushqimit.

Dorëzimi i Balilit pas tre viteve arrati u cilësua sukses i policisë nga qeveria. Kryeministri madje u përpoq të sqaronte kontradiktën mes vetëdorëzimit dhe asaj që ai e cilësoi një operacion të sofistikuar policorë.  Ndalimi u përshëndet edhe nga Presidenti Ilir Meta, i cili shfaqet në një video të vitit 2015 në ceremoninë e inaugurimit të hotelit Santa Quaranta.

Pas dorëzimit Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Balilit për gjykim të shkurtuar që i kursen atij 1/3 e dënimit  që për akuzat ndaj tij varion nga 7 në 15 vjet burg, nëse shpallet fajtorë. Avokati i tij pretendon se akuzat nuk qëndrojnë dhe se ai është i pafajshëm. Pas seancës për caktimin e masës së sigurisë avokati Theodhori Sollaku deklaroi për mediat se klienti i tij është i pafajshëm dhe se organi i akuzës nuk ka asnjë provë ndaj tij.

“Nuk ka asnjë provë, direkte, indirekte apo indicie që Klemend Balili të jetë i përfshirë në trafikimin e 670 kg lëndë narkotike e kapur në ishullin Zakinthos,” tha Sollaku.

Megjithatë seanca ku pritet të lexohet pretenca e prokurorisë ndaj të akuzuarit është shtyrë disa herë për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës Theodhori Sollaku, i cili u gjobit për këtë nga gjykata.