Caktohet dita për shikimin e kabllos kontestuese në gjykimin për korrupsion

Muharrem Hoti, ka dhënë dëshminë e tij në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit për korrupsion, ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku.

Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim të kabllos elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.

Muharrem Hoti, është fituesi i tenderit i firmës N.T.Sh. “Leoni”, në këtë çështje.

“Kam pasur disa herë bashkëpunim me komunën e Malishevës dhe shpesh konkurroj nëpër tenderë dhe për këtë çështje kam kontratën me titull “Furnizim me kabllo elektrike”, të cilën e kam nënshkruar me menaxherin e prokurorimit Ekrem Kastrati, projekt ky që është realizuar sipas kontratës”, deklaroi dëshmitari Muharrem Hoti.

Ai tha se dy javë më herët e kishte kuptuar se ka fituar tenderin për furnizim me kabllo.

“Dy javë para nënshkrimit të kontratës, unë jam njoftuar se kam qenë fitues i tenderit pastaj e kam marrë kabllon dhe e kam dërgu ku më kanë thënë që kablloja nevojitet për fshatin Gajrak, por nisja do bëhet prej fshatit Banjë”, tha ai.

Dëshmitari Muharrem Hoti, tha se pas fitimit të tenderit, e kishte njohur Ismet Mazrekun.

“Më kanë thënë që organi mbikëqyrës është Ismet Mazreku, të njëjtin e kam njoftuar dhe ai ka ardhë në fshatin Banjë ku e ka vërtetuar se kablloja është sipas kontratës së prokurorimit”, deklaroi Muharrem Hoti.

Ai tha se kabllon e kishte shkarkuar 20 metra larg dhe se aty nuk kishte parë asnjë punëtor apo veturë të KEDS-it.

“Kabllon e kam lënë nja 20 metra më poshtë vendit ku ka pasur të filloj furnizimi dhe aty prezent ka qenë edhe i akuzuari Ismet Mazreku dhe shoferi i kompanisë që unë e kam blerë kabllon “elektro stublla” me seli në Prishtinë, për të cilën edhe e kam faturën, por të njëjtit nuk ia di emrin”, deklaroi dëshmitari.

Muharrem Hoti tha se fletëdërgesën e kishte shkruar me dorë dhe të njëjtën e ka nënshkruar Ismet Mazreku, pasi që i njëjti kishte qenë prezent.

“Nënshkrimi është bërë pas 15 minutash që jemi kthy nga vendi i ngjarjes”, deklaroi dëshmitari.

Ai tha se e posedon të gjithë dokumentacionin lidhur me këtë rast.

“Unë e kam bërë të gjithë furnizimin sipas shkresave, unë nuk jam në dijeni nëse kablloja ka qenë e tensionit të lartë apo të ulët, sepse unë në bazë të shkresës e kam blerë kabllon”, deklaroi dëshmitari Muharrem Hoti.

Ai tregoi se para 4 viteve, telefoni i kishte rënë në bunar, në të cilin telefon kishte bërë foto atë ditë kur e kishte sjellë kabllon.

“Kam blerë 410 metra kabllo dhe faturën do të ja dorëzoj avokatit të komunës”, tha ai.

Muharrem Hoti, tha se kablloja e furnizuar nga ai ka qenë në formë bisteku.

Më pas dëshmoi eksperti Muhamet Shala, inxhinier i elektrikes, i cili me urdhëresë të gjykatës kishte bërë vetëm shikimin e kabllos në Gajrak të Malishevës.

Ai tregoi se kishte parë dy kabllo të tensionit të lartë.

“Në vend të ngjarjes kanë qenë dy kabllo të tensionit të lartë, të të njëjtit tip dhe dimension, prodhimi i tyre është nga dy qytete të ndryshme të Republikës së Serbisë”, deklaroi eksperti Muhamet Shala.

Ai tha se kablloja mund të jetë edhe tokësore, por se duhet t’i shohë katalogët e firmës së prodhimit të saj.

“Unë në vend të ngjarjes kam konstatuar se është kabllo bistek ajror”, shtoi eksperti.

Ai theksoi se sa i përket shënimeve të karakteristikave të kabllos, atëherë duhet të shikohet se a i ka shënuar mirë të dhënat ai që e ka shpallur tenderin, por shtoi që kabllot që janë në vendin e ngjarjes përputhen me numrin e faturës së NTSH ”Leoni”.

“Kablloja përputhet nga dimensionin, mirëpo kur kam dalë në vendin e ngjarjes më kanë asistuar punëtorët e KEDS-it dhe kam vërejtur që ka pasur një dislokim nga trafoja – shtyllë në trafo metalik dhe nga koha kur është vendosur kablloja kanë kaluar disa vite dhe mund të ndodh që janë bërë ndryshime të rrjetit elektrik për shtimin e kabllove ajrore, por unë e di që aty ishte bërë një dislokim i trafos sipas pamjes fizike, por edhe deklarimit të qytetarëve dhe punëtorëve të KEDS-it dhe se mund të ndodh që unë e kam shikuar ndonjë kabllo tjetër”, deklaroi eksperti Muharrem Hoti.

Prokurori Ramiz Buzhala i propozoi gjykatës që të dilet në vendin e ngjarjes, me arsyetimin se këtu ka dilema.

“Në mënyrë që t`i heqim dilemat propozoi që bashkërisht të dalim në vend të ngjarjes bashkë me ekspertin”, propozoi prokurori Ramiz Buzhala.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Nikollë Komani i ndihmuar nga anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli aprovuan propozimin e prokurorit dhe caktuan datën 27 nëntor.

Seanca e fundit ishte shtyrë për shkak të mungesës së një dëshmitari.

Në seancat e kaluara kishin dëshmuar ish-drejtori u KEDS-it, Agnez Furra dhe dëshmitarë të tjerë.

Në këtë rast KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurorimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.

Projekti kishte filluar me tela të zhveshur, por kur ka arritur në lagjen Begaj të Malishevës, banorët kanë protestuar dhe pastaj është vendosur me kabllo të veshur.

Një seancë tjetër e këtij gjykimi kishte dështuar të mbahej për shkak të mosprezencës së të akuzuarit.

Në këtë gjykim kishte dëshmuar edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të shërbimeve publike në komunën e Malishevës, kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.