Bushati: Albini dhe Vjosa, shpresa e shqiptarëve

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, e ku në këto zgjedhje e para doli VV-ja dhe pas saj LDK-ja.

Bushati përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se me ditën e djeshme Kosova e ka përqafuar ndryshimin, duke shtuar se Kurti dhe Osmani shihen si shpresë për qytetarët e Kosovës.

“Sovrani i dha një mandat të qartë Albin Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJA (duke e rënditur atë të parin), dhe Vjosa Osmanit të LDK. Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës në opozitë duke demonstruar konsistencë e pathyeshmëri e duke mos u bërë palë me veset e jetës politike që dobësojnë idealin e jetës demokratike. Është kjo arsyeja që sot ato shihen si projekt shprese për të gjithë shqiptarët në rajon, duke na dëshmuar se mund të triumfohet mbi rrënojat e së vjetrës”, ka shkruar Bushati.

Ai tha se tanimë Kurti dhe Osmani janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik dhe partneritetit me botën demokratike.

“Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Evropiane, që e sheh të ardhmen e saj brenda vendit”, tha ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Tutje ai shtoi se përtej fitores ka fituar edhe kultura demokratike.

“Përtej fitores së Albinit dhe Vjosës, në Kosovë, mbi të gjitha, fitoi standardi dhe kultura demokratike. Procesi zgjedhor, bazuar në një sistem që kombinon disiplinën partiake me mundësinë që ka çdo qytetar për të rënditur kandidatët për deputetë sipas preferencës së tij, sikundër mënyra, korrektesa dhe shpejtësia me të cilën u numërua vota e qytetarëve, ishte një leksion më vete për ne”, thotë Bushati.

Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rendisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarrjes”, ka shtuar në fund Bushati.

Zgjedhjet e djeshme kanë shënuar një ndryshim në skenë politike në krahasim me vitet paraprake. Në dallim nga herët e kaluara, kur PDK-ja ka qenë pothuajse gjithmonë e para, në këto zgjedhje sipas mbi 90% të votave të numëruara nga ana e KQZ-së e para ka dalur Lëvizja Vetëvendosje, ku pas saj pason Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e treta.

Sa i përket formimit të Qeverisë, dy partitë VV dhe LDK qysh nga fushata zgjedhore kishin paralajmëruar një bashkëpunim të mundshëm mes vete pas zgjedhjeve.

Albulena Haxhiu tregon kur do të nisin bisedimet për qeverinë e re

www.kallxo.com