Burrat në pushtet nuk i respektojnë të drejtat e grave

Regjistrimi i pronës në emër të dy bashkëshortëve është njëri nga elementet e dukshme që tregon se një shoqëri është e barabartë dhe ku gratë janë të barabarta me burrat.

Për vite me radhë Qeveria e Kosovës ishte zotuar që të përkrahë barazinë e grave në pronë duke u kujdesur që regjistrimi i pronës të jetë falas.

Një hulumtim i BIRN zbardhë se mesazhi i promovuar nga kjo rregullore nuk është zbatuar nga njerëzit që mbajnë pozita të larta në qeverisjen e vendit

Nga fillimi i hulumtimit BIRN ka kontaktuar me rreth 2 mijë zyrtarë të lartë të vendit për të parë nëse i kanë regjistruar pronat në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre.

Gjetjet ishin shqetësuese, as 5% e këtyre zyrtarëve të lartë nuk e kanë respektuar udhëzimin për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Gjatë vitit 2019 një hulumtim i BIRN-it, kishte shfaqur statistikat në të cilat tregohej se vetëm 35 nga 1.304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte.

Deri tek ky konstatim BIRN erdhi pas kontakteve me zyrtarë të lartë të vendit, duke filluar nga kryetarët e komunave, nënkryetarët, drejtorët e drejtorive, gjykatësit, prokurorët, mbrojtësit e viktimave, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, ministrat, zëvendësministrat, sekretarët e ministrive, drejtorët e rajoneve policore, deputetët e deri te presidenti e kryeministri.

Gjendje më e mirë nuk ishte as tek asamblistët e kuvendeve komunale. Një hulumtim i BIRN gjeti se më pak se 10% e asamblistëve kishin prona të regjistruara në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Saktësisht 44 nga 474 asamblistë sa ishin përgjigjur në pyetjet e BIRN, i kishin pronat bashkë me gratë.

Gjendje e njëjtë ishte edhe me përfaqësuesit e popullit në Kuvend e Kosovës të cilët mandatohen për përmirësimin e jetës së qytetarit.

Nga 121 deputet të kontaktuar gjatë këtyre viteve, vetëm 13 prej tyre që janë përgjigjur kanë deklaruar se kanë të regjistruar pronë të përbashkët të me gruan.

Barazia në Prona e Burrave të Drejtësisë

Gjyqtarë e Prokuror të thirrur për të vendosur rend, siguri dhe drejtësi, kanë rezultuar negativisht në regjistrimin e pronave në emër të përbashkët.

Nga hulumtimi i BIRN rezulton se nga 362 gjyqtar të gjykatave të vendit, vetëm pesë (5), gjyqtar prej tyre të cilët janë përgjigjur kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Në instancën më të lartë të gjyqësorit, Gjykatën Supreme ka rezultuar se vetëm Gjykatësi Rasim Rasimi e ka pronën e regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e tij.

Hulumtimi tregon se asnjë kryetar (burrë) i gjykatave të vendit nuk posedon pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten.

Gjendje më e rëndë në këtë aspekt është në sistemin prokurorial, nga 202 prokuror të kontaktuar vetëm një prej tyre ka pronë të regjistruar me bashkëshorten.

Nga njëmbëdhjetë krerët e prokurorisë, vetëm dy kanë deklaruar se kanë pronë në emër të përbashkët.

Pronën e përbashkët të regjistruar me bashkëshorten nuk e kanë as Kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi dhe as Kryesuesi i këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni.

Avokatët

Avokatët të cilët në shumë raste luftojnë për të drejtat në pronë të grave, të njëjtën gjë nuk e kanë bëre me gratë e tyre pasi një numër shumë i vogël i tyre ka pronë të përbashkët të regjistruar bashkërisht me gruan.

Avokatët e Kosovës nuk janë duke dhënë shembull të mirë në barazi gjinore dhe regjistrim të pronave.

Vetëm tre avokatë burra nga 25 të kontaktuar nga BIRN kanë deklaruar se posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Gjendje më e mirë nuk është as me noterët.  Hulumtimi i BIRN, tregon se nga 69 noterë të Republikës së Kosovës, vetëm tetë prej tyre kanë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

E personat të cilët edukojnë juristet e ri në Kosovë, Profesorët e të drejtës, nuk kanë dhënë shembull se mund ti edukojnë brezat e ri për respektimin e të drejtës së gruas në pronë.

Nga 39 profesorë, asistentë profesorë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës të kontaktuar nga BIRN, vetëm 5 prej tyre kanë deklaruar që posedojnë ndonjë pronë të paluajtshme të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshortet.

Hulumtimet e BIRN përveç mos regjistrimit të pronave të emër të përbashkët me bashkëshortet, tregojnë edhe për betejat e gjata ligjore të grave për të marrë pasurinë që u takon.

Shyhrete Berisha dhe Shukrije Berisha janë dy raste të grave ku tregohet se procedurat gjyqësore për të fituar të drejtën që u takon u kanë zgjatur mbi një dekadë.

Shyhretes dhe Shukrijes përpos përballje me dhimbjen për humbjen e bashkëshorteve ju desh të përballeshin edhe me betejat e gjata ligjore për të trashëguar të drejtën e tyre në pronë.

Sfida e vështirësi për të fituar të drejtën e saj në pasuri të përbashkët kishte edhe Arjeta Gashi.

Arjeta Gashi kishte rrëfyer në Emisionin Drejtësia në Kosovë për betejen gjyqësore të saj disa vjecare për të marrë pasurinë që i takon.

Duke parë vështirësitë e grave për të fituar të drejtën e tyre në pronë dhe të përkrahur nga USAID, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, në vazhdimësi ka bërë përpjekje për inicimin e fushatave vetëdijësuese në lidhje me rëndësinë e regjistrimit të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Pas këtyre hulumtimeve dhe fushatave të njëpasnjëshme vetëdijësuese, numri i grave që regjistrojnë prona të përbashkëta po shtohet në vazhdimësi.

Trendin në rritje të rritjes së grave që po marrin prona e kanë konfirmuar personat të cilët merren çdo  ditë me këto raste, noterët.

Në disa bashkëbiseda të cilat BIRN-i i ka zhvilluar me noterë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, ata kanë deklaruar se vitet e fundit është shënuar dukshëm rritje e kërkesave të palëve për ta regjistruar pronën në emër të përbashkët të të dy bashkëshortëve.

https://kallxo.com/gjate/analize/noteret-trend-pozitiv-i-pronave-te-regjistruara-ne-emer-te-dy-bashkeshorteve/