Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Burg për grabitjen e vitit 2013 në bastore të Pejës

Gjykata në Pejë u ka dhënë burg dy të akuzuarve për një grabitje të armatosur që kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2013 në një lokal të Pejës.

I akuzuari XH.D është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë vjet e gjashtë muaj si dhe me dënim me gjobë në shumë prej 2,000 euro.

Ndërsa i akuzuari tjetër XH.B është dënuar me katër vjet burgim si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro.

Sipas aktakuzës më 29.12.2013, rreth orës 02.00 të mëngjesit, në Pejë, të pandehurit duke vepruar në grup dhe me armë, kanë sulmuar jetën e të dëmtuarve, me qëllim që vetës t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Aktakzua thotë se njëri i pandehur paraprakisht e kishte përcjellë të dëmtuarin për tri net rresht para natës kritike, duke qëndruar në këtë lokal nga momenti i hapjes e deri në fund të orarit, ndërsa të tjerët kishin bërë roje jashtë lokalit.

Sipas aktakuzës, në momentin kur i pandehuri ka kuptuar se i dëmtuari ka një shumë të madhe të parave të fituar gjatë lojës së klientëve, nga brendia e bastores përmes telefonit i kishte njoftuar të pandehurit e tjerë dhe kishte dalë së bashku me mysafirët e tjerë që kishin qenë duke luajtur në bastore. Pasi kishte dalë jashtë, ai ishte kollitur në shenjë sinjali, e më pas dy të pandehurit e tjerë, pas pesë minutave pasi që ishin larguar mysafirët, kishin hyrë në lokal me maska në kokë, dorëza në duar dhe armë automatike dhe kishin kërkuar nga të dëmtuarit para.

Në atë moment, sipas aktakuzës, një i dëmtuar kishte arritur që të ikë dhe të fshihet në podrum kurse i dëmtuari tjetër ishte nisur në drejtim të të pandehurit dhe në momentin kur i është afruar të pandehurit ky i fundit kishte shtënë në drejtim të dëmtuarit duke e plagosur.

Më pas të pandehurit kishin marrë shumën e të hollave prej 8.000 euro dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes.