Bujqit e Kosovës ankohen për kushtet e tyre

Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës në një konferencë për media para Qeverisë së Kosovës ka paraqitur mos kënaqësitë e tyre karshi ministrisë së Bujqësisë, ku edhe kanë kërkuar takim me kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Sipas kësaj sindikate, puna e bujqve në tërësi po konsiderohet nga institucionet në përgjithësi si veprimtari e punë e fshatit, si e dorës së dytë e të tretë.

“Përveç ndonjë deklarate të rrallë askush kur flet për ekonominë e zhvillimin nuk flet edhe për bujqësinë. I dëgjojmë të flasin në mënyrë abstrakte për prodhimin vendor por nuk i shohim të flasin për masat dhe mbështetjen e bujqve dhe fermerëve në terësi.Ne edhe pse ishim para Qeverisë ende nuk morëm kurrfarë përgjigje prej tij. Para një viti bujqësia e Kosovës ishte në gjendje të rëndë, sot është në gjendje edhe më të rëndë”, është thënë në komunikatë për medie.

Sipas tyre, buxheti për bujqësi që është shumë i vogël po vazhdon të keqpërdoret, si dhe grantet dhe subveniconet nuk janë dhënë në mënyrë të drejtë dhe ka nepotizëm.

“Ata që marrin grande pa ryshfet, ose janë të afërm të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, ose janë zyrtarë e militantë të partive në pushtet, grandet i marrin ata që më së paku merren me bujqësi, kurse refuzohen edhe doktorët e veterinës dhe agronomët me traditë të gjatë pune në bujqësi. Subvencionet jipen edhe me shtatë muaj vonesë, andaj ky është keqpërdorim për vepër penale dhe përgjegjësit duhet të shkojnë në burg për këtë. Kriteret për grande dhe subvencione, për shumicën e bujqve janë të papërballueshme, andaj shumica prej tyre heqin dorë nga ato projekte, e lënë punën në bujqësi për të marrë rrugën e gurbetit, dhe si rezultat i kësaj, Kosovën e kanë braktisë rreth 60% e fuqisë punëtore në bujqësi”, është thënë në komunikatë.

Ata po ashtu kanë thënë se edhe këtë vit e kanë pasur rendimentin më të ulët të grurit që nga pas lufta dhe për këtë po duhet të importohet nga Serbia, andaj kërkojnë nga Qeveria masa mbrojtëse.

“Sivjet e patëm rendimentin më të ultë të grurit (rreth 2500kg/1ha) që prej pas lufte. Shkaktarë ishte lagështia e stërzgjatur në pranverë e cila bëri dëme të mëdha te gruri duke zvogëluar në masë të madhe rendimentin, mirëpo ishin edhe farat, plehrat dhe pesticidet e kualitetit të dobët që ndikuan në uljen e rendimentit. Dhe në mungesë të prodhimit vendor të grurit, mullinjtë tanë i mbushen hambaret e tyre me 80% të sasisë së grurit nga importi dhe atë kryekëput nga Serbia”, kanë thënë ata.

Për FSBK-ën kjo është një gjendje alarmante, sepse vitin e ardhshëm do të jemi  90% të varur prej importi për sigurimin e bukës për popullatën e Kosovës.

“Shumë sipërfaqe do të mbesin djerrinë sepse bujqit e Kosovës janë vetëdijesuar se arat që mbillen në dhjetor me grurë nuk garantojnë rendimente të dëshiruara dhe kështu nuk do të arsyetohen investimet, andaj edhe heqin dorë  nga mbjelljet  për të mos dështuar ato”, kanë shtuar ata.