Gjykimi i Shukri Bujës dhe të tjerëve - Foto: KALLXO.com

Buja pyetet nëse ka ushtruar presion në drejtorin e Urbanizmit rreth lejes për një objekt

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i Shukri Bujës dhe nëntë personave të tjerë të akuzuar  për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Edhe në pjesën e dytë të ditës seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Shukri Buja si dhe mbrojtjen filloi ta japë edhe i akuzuari tjetër Nebih Zeqiri.

Buja kishte dhënë mbrojtjen edhe gjatë pjesës së parë të ditës, ku kryesisht ishte deklaruar në lidhje me nënshkrimet të cilat i kishte dhënë sa kishte qenë kryetar i Komunës së Lipjanit.

Në pjesën e dytë të seancës i akuzuari kryesisht u pyet në lidhje me marrëdhënien e tij me të akuzuarin Fahri Retkoceri.

Për Fahri Retkocerin, Buja tha se e njeh prej para luftës, para se të ishte kryetar dhe se në periudhën e kandidimit kanë qenë kundërshtarë politikë.

A ju ka kontaktuar juve ndonjëherë në lidhje me çështjen e objektit banesor në oborrin e Fabrikës së Letrës?, e pyeti prokurori Agron Bajrami të akuzuarin.

Në lidhje me këtë Buja u përgjigj se si kryetar i Komunës që kishte qenë atë kanë mundur ta kontaktojë çdo qytetar.

”Unë kam qenë kryetar i Komunës së Lipjanit dhe në telefonin tim zyrtar ka mundur të më kontaktojë dhe të kërkojë sqarime çdo qytetar, ku në mesin e tyre qytetar i kësaj komune ka qenë edhe Fahri Rekoceri”, tha Buja.

Më pas prokurori i çështjes kërkoi të dinte nga i akuzuari nëse ai si kryetar i Komunës të kishte qenë  në dijeni për ndërtimin e një objekti tek ish objekti i Fabrikës së Letrës.

Për çka Shukri Buja tha se kjo ka qenë punë e Drejtorisë së Inspeksionit dhe se ai është njoftuar vetëm kur ka kërkuar sqarim nga drejtori për vizitën për të cilën kishte pyetur Fahri Retkoceri ngase kishin qenë inspektorët e këtij ndërtimi.

“A ka kërkuar ai nga ju që të ushtroni presion te inspektorët komunalë që të njëjtit të mos shkojnë më në inspektim të atij objekti?”, e pyeti prokurori ndërsa i akuzuari u përgjigj shkurt me “Jo”.

Prokurori Bujën e pyeti edhe nëse ai ishte takuar me Fahri Retkocerin në një restorant për të cilin tha se është pronë e djalit të Bujës.

Për këtë ai tha se në këtë restorant ka drekuar çdo ditë gjatë pauzës dhe se ka qenë normale që aty të takonte shumë njerëz.

“Pas marrjes së vendimit nga Kuvendi Komunal në lidhje me planin urbanistik sipas kërkesës së Fahri Retkocerit a keni dalë në drekë me të njëjtin?”, e pyeti më tej prokurori.

“Nuk më kujtohet se kam dalë në drekë, por drekë kam ngrënë gjithmonë dhe shpenzimet ose m’i ka hequr djali ose ka mundur me pagu ndokush që ka qenë prezent me mua”, u përgjigj i akuzuari.

Tutje prokurori të akuzuarin e pyeti nëse ai kishte biseduar me drejtorin e Urbanizimit Ermond Rexhepin lidhur me aprovimin e lejes urbanistike për objektin në fjalë, pronë e Fahri Retkocerit.

Kurse Buja tha se ai në lidhje me çdo paqartësi apo moskryerje të punës ka biseduar me Ermondin dhe drejtorët përkatës për të kërkuar sqarime.

Prokurori të akuzuarin e pyeti edhe në lidhje me një veturë zyrtare të cilin tha se Buja e kishte rregulluar në auto servisin “Gazi”, me pronar Gazmend Retkoceri, djali i vëllait të Fahri Retkocerit, duke shtuar se për këtë shërbim pagesa është bërë nga Fahri Retkoceri.

“Po e njoftoj prokurorin se edhe tri dreka që i kemi ngrënë gjatë këtyre seancave i ka paguar Fahri Retkoceri për respekt apo për me më korruptu apo për ndonjë gjë tjetër”, ishte reagimi i të akuzuarit kur u pyet në lidhje me këtë çështje.

Pas Bujës mbrojtjen ka filluar ta japë edhe i akuzuari i dytë Nebih Zeqiri por për shkak të përfundimit të orarit të gjykatës i njëjti mbrojtjen e tij do të vazhdojë ta japë më 14 qershor.

Buja po akuzohet nga prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

Bashkë me Bujën të akuzuar të këtij procesi janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Tre nga këta të akuzuar në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë komunalë të Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

http://kallxo.com/shukri-buja-deklarohet-pafajshem/

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.