Policia në trafik (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Bie nga sistemi qasja për verifikimin e gjobave në trafik

Sistemi për menaxhimin e gjobave të telekomunikacionit ka disa ditë që nuk është funksional.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se, nuk po mund të ketë qasje në këtë sistem për t’i verifikuar gjobat që i janë shqiptuar në trafikun rrugor.

Se ka probleme në qasjen e këtij moduli, për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia  e Kosovës.

“Qasja në modulin ‘gjobat e trafikut’, nuk është bllokuar nga PK, por sistemi i teknologjisë informative kërkon mirëmbajtje për arsye teknike dhe të sigurisë dhe në momente të caktuara mund të ketë edhe ndërprerje eventuale të punës për një kohë të shkurtër”, thuhet në përgjigjen përmes postës elektronike, të  Zyrës për Informim të PK-së.

Këto ndërprerje, sipas specialistëve të TI së PK-së, janë duke u mbikëqyrur dhe është duke u punuar që të evitohen pengesat eventuale dhe “sistemi të jetë funksional dhe në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë kohës”, thotë policia.

Gjithashtu, PK-ja për KALLXO.com ka bërë të ditur se gjobat në trafik mund të paguhen në çdo institucion të autorizuar financiar për pagesë dhe fletëpagesat mund të dorëzohen në çdo stacion policor të Republikës së Kosovës, pavarësisht ku është shkruar apo paguar gjoba.