Dita pa makina | Foto: KALLXO.com

Biçikletat si Dekor në Ditën pa Makina

Defilimi me biçikleta në Prishtinë në Ditën pa Makina u organizua nga Ministria e Ambientit, ndërsa nisi pikërisht nga objekti i saj drejt rrugës “Garibaldi” për të vazhduar nëpër “George Bush” drejt katedrales dhe më pa hotelit “Grand”.

Zymer Mrasori, udhëheqës i Divizionit për Edukim dhe Ndërgjegjësim Mjedisor në këtë ministri tha se lëvizja me biçikleta u bë për vetëdijesim që sa më pak të përdoren makinat në qytet.

“Ministria e Mjedisit bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe OJQ e shoqërinë civile kanë organizuar një aktivitet të cili ka të bëjë me sensibilizimin e opinionit kryesisht me shfrytëzimin e biçikletës me rastin e kësaj ditës,” tha Mrasori.

Përveç përdorimit të biçikletave u shpërndanë edhe fletushka për një qytet me sa më pak makina.

Luan Hasanaj nga iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” kërkoi që taksa ekologjike e cila paguhet për çdo automjet të regjistruar t’i kthehet përmirësimit të ambientit.

Çdo makinë në Kosovë me peshë deri në 3.5 tonë paguan taksë ekologjike në vlerën e 10 eurove, ndërsa Luan Hasanaj tha se vetëm 0.5 për qind e këtyre mjeteve të grumbulluara përdoren për përmirësim ambienti.

Ai tha se këto mjete duhet të përdoren për ndërtimin e shtigjeve të biçikletave.

Për mungesën e shtigjeve të tilla Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në tetor të vitit 2014.

Pak Shtigje e Shumë Dëshira Për Lëvizje me Biçikleta