Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Bislimi viziton Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në Hagë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka vizituar në Hagë ish-eprorët e UÇK-së Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Kështu bëri të ditur Bislimi përmes një postimi në “facebook”.

Bislimi ka thënë se takimi me ta kishte zgjatur tre orë.

“Sot vizitova në Hagë mikun tim Rexhep Selimin. Si gjithnjë i disponuar dhe me besim të plote në drejtësi. Edhe pse larg Kosovës, nuk i kishte ikur as edhe një detaj i vetëm nga zhvillimet politike në vend. Gjithashtu pashë edhe bacën Jakup që po mbahej jashtëzakonisht mirë. Tri orë ikën si 30 minuta”, ka shkruar Bislimi.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që njëjtit t`i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata ishin arrestuar në nëntor të vitit të vitit 2020 nën akuzat për krime të luftës pasi aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Sipas prokurorisë së specializuar gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999, Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli akzuohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin, të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.