Bashkëpunimet kulturore Kosovë –Shqipëri, mes shundit dhe pseudokulturës

Bashkëpunimet Kosovës -Shqipëri gjatë 2018 janë zhvilluar si mos më keq, bile më mënyrën se si janë zhvilluar aktivitetet në kuadër të kalendarit të përbashkët mes dy vendeve, duke mos lënë jashtë edhe ato në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, më shumë ishin në shërbim të politikave ditore të klasës politike në dyja anët e kufirit.

Kështu ka thënë në një prononcim për Kallxo.com, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, duke komentuar zhvillimet kulturore dhe bashkëpunimet Kosovë- Shqipëri gjatë këtij viti.

Buxhovi ka thënë se nuk mund të flitet për kurrfarë bashkëpunimi kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë.

Pasi, siç ka thënë ai, ka vetëm invazion të pseudokulturor dhe të shundit që Kosovës i vjen nga Shqipëria nëpërmes mediumeve po ashtu, siç ka thënë ai, të dirigjuar nga mafia shqiptare, të cilat kanë pushtuar hapësirën mediale.

Kjo, ka shtuar ai, ka bërë që vlerat kulturore të Kosovës (sado të pakta që janë), të mos përfaqësohen fare në Shqipëri.

Në këtë aspekt, shtonë më tej ai, Kosova dhe Shqipëria janë më larg dhe më të ndarë se kur midis shqiptarëve ishte perdja e hekurt ideologjike.

“Këtë realitet trishtues midis nesh e ilustron më së miri edhe i ashtuquajturi vit mbarëkombëtar i Skënderbeut, që nuk ishte tjetër pos një farsë e mjerë e kësaj gjendjeje, në shërbim të politikave antikombëtare dhe mafioze në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilat, nuk ngurrojnë që edhe heroin kombëtar ta kthejnë në dekor të tyre”, ka thënë Buxhovi në një prononcim për Kallxo.com