Banorët në lagjen “Bregu i Diellit” ankohen për parkingun e stërmbushur

Banorë të lagjes “Bregu i Diellit”, rruga ‘Rifat Burgjeviq’ kanë kërkuar nga komuna që t`u bëjë një zgjidhje për hapësirën e parkingut të makinave.

Ata u drejtuan me kërkesë për komunën pasi këtu më shumë parkohen makina të prindërve që vijnë të marrin fëmijët në shkollën ‘Ismail Qemali’.

Në kërkesën e banorëve thuhet që këtu parkohen edhe punëtorë të shkollës deri në fund të orarit, duke i lënë kështu banorët rezident pa zgjidhje.

Banorët në kërkesën drejtuar komunës akuzojnë edhe lagjet tjera që vijnë dhe parkohen aty.

Këtu, sipas tyre,  parkohen njerëzit që shkojnë në ‘Qendrën Tregtare Bregu i Diellit’.

Banorët në kërkesën drejtuar komunës thonë se nuk do paguajnë tatim për këtë pjesë derisa t`u bëhet një zgjidhje.

“Siç po e shihni edhe vetë, lagjja jonë është e stërngarkuar me vetura, vetëm objekti ku unë banoj ka shumë banorë dhe secila familje ka se paku një veturë. Ne kemi problem edhe me prindërit që i sjellin fëmijët në shkollën ‘Ismail Qemali’, edhe në trafik bëhet kolonë shumë e gjatë deri sa të depërtojnë veturat. Vajza ime sillet dy orë në mënyrë që të parkohet diku ose duhet të shkojë diku në lagje tjetër”, ka thënë Ibrahimi.

Halil Halili nga drejtoria e shërbimeve publike në Prishtinë për Kallxo.com, ka thënë se kërkesa e banorëve nuk mund të realizohet pasi nuk ka bazë ligjore dhe kushte teknike për rezervimin individual të parkingjeve për shkak të hapësirave të kufizuara.