Foto: Kallxo.com

Banorët e Orllanit kërkojnë ujë nga liqeni i Batllavës

Banorë të fshatit Orllan të Podujevës janë mbledhur sot para objektit të Ministrisë së Mjedisit dhe Zhvillimit Hapësinor për shkak të mungesës për ujë të pijshëm.

Orllani është një fshat në komunën e Podujevës brigjet e të cilit lagen nga liqeni i Batllavës që e furnizon me ujë pjesën më të madhe të rajonit të Prishtinës.

Qytetarët kërkuan të flasin me ministrin Fatmir Matoshi për t’i kërkuar mjetet buxhetore të ndara në 2018 për projektin “furnizim me ujë të pijshëm për banorët e Orllanit”.

Rexhep Zeka nga orllani tha se po kërkojnë të dinë se pse nuk ka filluar projekti për të cilin ishte ndarë buxheti.

“Orllani me fshatrat përreth nuk ka pasur asnjë here kyçje në sistem e ujësjellësit rajonal “Prishtina”. Fatkeqësisht, ne kemi bërë shumë kërkesa e që dy vite kemi bërë shkuar nëpër institucione, kemi kërku që me u nda buxheti edhe pastaj u nda, e tash kemi marrë informacione që janë hequr 200,000 euro nga fondi që është ndarë për projektin për t’u kyçur në ujësjellës”, tha Zeka.

Banorët e Orllanit gjatë takimit me ministrin e Mjedisit, Fatmir Matoshi. Foto: KALLXO.com

Banori tjetër i Orllanit, Fahri Hoxha, tha se në shenjë pakënaqësie nëse nuk do të arrihet diçka pas kësaj iniciative atëherë do të vazhdojnë më protesta më masive.

“Jemi të pakënaqur për projektin e vitit të kaluar që është ndarë edhe janë hekur nuk e dimë se ku kanë shkuar. Para dy vite jemi angazhu mirëpo të gjitha kërkesat tona kanë ra në vesh të shurdhër. Kemi ardhë vetëm për bisedë se ku ka mbetur fondi që është ndarë për kit punë”, tha ai.

Aktivistët u pritën në zyrën e Matoshit për t’i paraqitur kërkesat e tyre.

Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, u tha se nuk është e vërtetë që ai ka ndikuar ai në shkurtimin e fondit të projektit.

Ai u premtoi qytetarëve se pas aprovimit të buxhetit, do të ndahen fondet për këtë projekt.

Liqeni i Batllavës

“Kjo shumë është e pamjaftueshme për me fillu punën. Puna e largimit të mjeteve ka ndodhur më 26 qershor në kohën që unë nuk kam qenë ministër. I kam kërkuar drejtorit të buxhetit që me ma shpjegu pse ka ndodhë, por ka pasur shkurtime ne disa projekte jo vetëm në këtë. Jemi vonu se projekti ka ardhë me 16 tetor ndërsa me 17 tetor e kemi inicu me e shpallë tenderin një ditë masi që më ka ardhë projekti. Por, nuk na është aprovu për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm”, u tha ministri qytetarëve.

“Brenda janarit nuk bëhet se ka rregulla dhe procedura. Projekti nuk do të jetë në gjysmë, fondet do të gjenden këtë vit. Jam duke punu që m’i kthy fondet”, tha ministri Matoshi.