Bajrami: Gazi Lotsjellës e ka Dëmtuar Vendin

“Situata politike dhe gazi lotsjellës në Kuvend ka pasur një impakt, në fakt një nga arsyet e konsorciumit të Brezovicës që ka kërkuar zgjatje të afatit na kanë thënë që ka qenë e vështirë që të përmbyllen negociatat me kompani me renome botërore dhe kjo ka ndikuar, në fakt një prej faktorëve që ka ndikuar ka qenë pikërisht gazi lotsjellës,” tha Bajrami.

Në prill të këtij viti Qeveria e Kosovës nënshkroi kontratë me konsorciumin “Compagnie des Alpes SA & MDP Consulting & PGI  Managmanet & Outdoor Kosovo” për zhvillimin, financimin dhe operimin e Qendrës Turistike në Brezovicë.

Më tutje Bajrami tha se sipas të dhënave të BQK-së investimet e huaja direkte na periudhën janar shtator 2015 janë mbi 260 milionë euro që paraqet një rritje të konsiderueshme krahasuar me 3 vjetët e fundit.

Ajo paraqiti një objektiv tjetër për vitin e ardhshëm rreth këtyre investimeve.

“Shpresojmë ta kalojmë 350 milionëshin, meqenëse ka filluar edhe implementimi i pakos së re fiskale,” tha ministrja Bajrami .

Sipas saj ka pasur edhe rritje të numrit të kompanive me pronarë të huaj. Për Bajramin “kjo është shenjë e stabilitetit makroekonomik”.

Sipas Bajramit gjatë 2015-ës është bërë ndarja e granteve financiare nga fondi i përbashkët i BE-së në vlerë prej 4 milionë eurosh.

Ai paralajmëroi edhe ndërtim të zonave të reja industriale.

“Planifikojmë në vitin 2016 të fillojmë ndërtimin e diku pesë zonave industriale në Kosovë,” tha Bajrami.