Bahiri: Mitrovica nuk e pranon ndarjen

Agim Bahtiri, kryetari i komunës së Mitrovicës gjatë tryezës të organizuar me liderët politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, posaçërisht tendencën për ndarjen e Kosovës, ka deklaruar se Mitrovica se pranon ndarjen.

Në njoftimin e komunës së Mitrovicës, thuhet se pjesëmarrësit janë shprehur kundër ndarjes së Mitrovicës dhe kundër shkëmbimit të territoreve.

”Qytetarët e Mitrovicës nuk e pranojnë ndarjen dhe prandaj për çdo cep të tokës duhet të japin llogari, prandaj edhe e kam ftuar këtë tryezë të diskutojmë dhe të marrim vendime të cilat janë në të mirë të qytetarëve tanë. Politikanët janë ata që ndërrohen çdo herë ndërsa populli ynë janë ata që i bartin pasojat, nuk do të ndalemi asnjëherë derisa të mbrojmë interesat e qytetarëve tanë”, ka thënë kryetari Bahtiri, bëhet e ditur në komunikatë.

Në takim, të gjithë diskutuesit e që përfaqësonin partitë politike, shoqërinë civile, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, intelektualë të pavarur e të tjerë, me përjashtim të përfaqësuesve të PDK-së, kanë qenë kundër ndarjes së Mitrovicës dhe Kosovës.

“Ndarja apo shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bisedimet në vijim nuk guxojnë të jenë çështje e diskutimit. Çdo propozim i delegacionit të Kosovës duhet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës dhe të bëhet vendim i obligueshëm dhe i zbatueshëm. Asociacioni i komunave Serbe të Kosovës, në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë përgjegjësi jashtë atyre që i ka përcaktuar Kushtetuta e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se pjesëmarrësit e takimit u shprehën se janë për bisedime me Serbinë, por për bisedime konstruktive që çojnë drejtë zgjidhjeve reale që nuk e cenojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe interesat e qytetarëve të saj.