Avokati i Popullit i rekomandon KEDS-it t'i kthejë në punë punëtorët e larguar

Avokati i Popullit i ka rekomanduar kompanisë KEDS që të respektojë vendimin e Gjykatës që të kthehen punëtoret e larguar dy vite më parë nga kjo kompani.

Përmes një raporti rekomandues drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Kompanisë  Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), George Karagutoff, konstaton se moszbatimi i aktvendimit të formës së prerë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, pasi që KEDS-i ka zvarritur ekzekutimin e lëndës së ankuesve nga shtatori i vitit 2016.

Gjithashtu, Avokati i Popullit konstaton se zvarritja e tepruar është në kundërshtim me të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor brenda një afati kohor të arsyeshëm.

Si rrjedhojë, ky institucion ka rekomanduar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për zbatimin e aktvendimit të formës së prerë nga Gjykata e Prishtinës e pastaj i vërtetuar nga Gjykata e Apelit për kthimin e punëtoreve.

Punëtorët e KEDS-it të cilët u larguan nga puna rreth dy vjet më parë, vazhdimisht kanë protestuar para objektit të KEDS-it, Ministrisë së Drejtësisë dhe Pallatit të Drejtësisë.

Për arsye “ekonomike, teknike dhe organizative”, KEDS kishte vendosur të mbyllë Departamentin e Projekteve në Operim dhe si rezultat të gjithë të punësuarve në të u ndërpriten kontratat e punës.

Rreth 100 punëtorë të larguar e kishin dërguar lëndën në Gjykatën e Prishtinës. Kjo Gjykatë kishte vendosur në favor të tyre, kurse KEDS e kishte dërguar rastin në Gjykatën e Apelit. Mirëpo edhe Apeli kishte nxjerrë aktvendim që i jep të drejtë Gjykatës së shkallës së parë.

Protesta e punëtorëve të larguar, KEDS: Do respektojmë vendimin final të Gjykatës

Në dhjetor të vitit të kaluar kanë provuar më forcë që të hyjnë në objekt dhe kanë kërkuar të bisedojë dikush nga menaxhmenti.

KEDS nuk lejon kthimin e punëtorëve në punë, pavarësisht vendimit të gjykatës