Dëgjim Publik: Korniza Afatmesme Buxhetore 2025-2027 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Atiq thotë se nuk ka drejtor të Arsimit, ndërsa në dokumentin e Kornizës Afatmesme Buxhetore figuron emri i drejtoreshës

Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka drejtor të Arsimit në krye të kësaj drejtorie.

Kështu ka thënë Kryetari i Komunës, Erden Atiq në dëgjimin publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore e cila u mbajt sot më 18.06.2024 në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Ndër të tjera ai ka bërë të ditur se shkollat që operojnë në veri janë nën kompetenecën e Komunës së Jugut, përkatësisht Drejtorisë së Arsimimit në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

“Për momentin drejtor për Drejtorinë e Arsimit nuk kemi të emërum, e kemi pasë një zotni të cilin unë e kam shkarku. Ne jemi në një fazë të ristrukrimit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Në mbledhjen e ardhshme pritet votimi i statutit të ri dhe organogramit të ri ku do të përcaktohen dhe ndahen drejtoritë ashtu siç duhet sipas ligjit. Për shkak se na drejtoritë qysh i kemi gjet kur kemi ardhë, e kemi cek edhe më herët, kanë qenë të bashkume dhe të përziera. Katër drejtori nën nji drejtori të caktuar”- ka thënë Atiq.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com për Kornizën Afatmesme Buxhetore Komunale për vitin 2025-2027 tregohen deklaratat e misionit dhe vizionit nga drejtoritë përkatëse të komunës.

Në dokument thuhet se në krye të Drejtorisë për Arsim, Kulturë dhe Sport është drejtorja Arta Azemi.

Vizioni i kësaj drejtorie është ndihma e artistëve dhe krijuesve të rinj për të shprehur talentet e tyre ndërmjet ekspozitave, performancave dhe aktiviteteve krijuese.

KORNIZA AFATMESME BUXHETORE – PDF 2025-2027

E numri i  vogël i shkollave në Mitrovicë të Veriut, buxheti në vlerë prej 6,512,367 për vitin 2025 paraqet konfuzitet për qytetarët e kësaj zone.

Betim Osmani, asamblist në Komunën e Mitrovicës së Veriut, në dëgjimin publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore e cila u mbajt sot më 18.06.2024 kërkon hapjen e një shkolle në Mitrovicë të Veriut.

“E kemi vetëm një shkollë në gjuhën shqipe, ku mbajnë mësim disa komunitete në Kodrën e Minatorëve. Stafi i kësaj shkolle paguhet nga Komuna e Jugut, çka jeni t`u ba për me i shti në sistem, komplet arsimin edhe shëndetësinë ku dihet se me këtë buxhet është shumë i varfër”- ka thënë Osmani.

Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka thënë se plani për ndërtimin e një shkolle për ciklin e ulët në këtë komunë do të realizohet shumë shpejt.

“Kam pasë takim edhe me Kryetarin e Komunës së Jugut, Bedri Hamza edhe me Drejtoreshën e Arsimit, Drita Kadriu edhe ata janë të vëtëdijshëm dhe po e pranojnë se është një gjendje komplekse. T`u e pasë parasysh ndarjen administrative veri-jug. Shkolla në “Kodrën e Minatorëve” paralelja e shkollës “Aziz Sylejmani” dhe paralelja tjetër në Suhodoll menaxhohet prej Drejtorisë të Arsimit në Komunën e Jugut. Zgjidhja më mirë është problem me definu për shkak se nuk është vetëm çështje teknike, më shumë është çështje politike. E kena përkrahjen edhe të Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e një shkolle për ciklin e ulët. Duhet me gjet një zgjidhje të përbashkët me ekzekutivin e Komunës së Jugut”- përfundoi Atiq.

Ndryshe, Drejtorja e Drejtorisë për Financa, Buxhet dhe Zhvillim Ekonomik, në këtë komunë, Mevlyde Peci- Shala ka bërë ditur buxhetin për vitin 2025 dhe ka potencuar se komuna ka hyra vetanake të vogla.

“Buxheti i vitit 2025 do të jetë 6,512,367 euro. Edhë këtë vit të hyrat vetanake janë të vogla, jemi në përpjekje për krijimin e zyrës për tatimin për pronë”- ka thënë Peci- Shala.