Artisti Petrit Halilaj. Foto: Atdhe Mulla

Artisti Kosovar Merr Mirënjohje Speciale në Bienalen e Venedikut

Halilaj ka marrë këtë mirënjohje speciale që për motiv kishte ndërhyrjet imagjinative në arkitekturën e Arsenalit dhe Pavilionit Qendror i cili krijon lidhjen në mes të historisë së Kosovës dhe kujtimeve të fëmijërisë.

Vesa Sahatçiu, kuratore e njërës nga ekspozitat e Halilajt në Kosovë, ka thënë se kjo është një mirënjohje shumë e rëndësishme sepse një të tillë nuk e ka fituar asnjë artist shqiptar deri më tani.

“Kjo është shumë e rëndësishme për artin pamor. Është një mirënjohje tepër e rëndësishme që asnjë artist shqiptar deri më tani nuk e ka marrë. Është që është hera e parë që një artist i artit pamor ka marrë një mirënjohje të tillë”, ka thënë Sahatçiu.

Ajo gjithashtu e çmoi lartë edhe pjesëmarren e Halilajt si artist i pavarur në Bienalen e 57 të Venedikut.

“Halilaj është ftuar me punën kryesore si artist i pavarur dhe nuk ka qenë pjesë e Pavilionit Kosovar apo cilitdo pavijon. Kjo është shumë e rëndësishme për artin pamor”, ka shtuar Sahatçiu.

Fitues i Bienales së Venedikut ishte Pavijoni Gjerman me artisten Anne Imhof.