Arrestohet Xhelal Sveçla

Arrestimin e Sveçlës e bëri të ditur me anë të një reagimi Lëvizja “Vetëvendosje”.

“Arrestimi i Sveçlës është tentim për ta penguar punën e tij si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, në mënyrë që t’i hapet rrugë krimit të organizuar e korrupsionit që udhëhiqet nga eksponentë të LDK-së dhe PDK-së,” thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Ky subjekt politik për arrestimin e Sveçlës e bën përgjegjës Isa Mustafën dhe qeverinë e drejtuar prej tij.

“Isa Mustafa është përgjegjësi kryesor për rreziqet me të cilat po kanoset shteti i Kosovës. Po ashtu, Isa Mustafa është përgjegjësi kryesor për krimin urbanistik në Prishtinë, krim ky i denoncuar e i ndalur nga Xhelal Sveçla dhe Lëvizja Vetëvendosje,” vijon reagimi i VV-së.

Lajmin për arrestimin e Xhelal Sveçlës e bëri të ditur me një njoftim edhe Policia e Kosovës.

“Më datë 16.03.2016 rreth orës 09:00, në Rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, konform detyrimit ligjor policia ka realizuar një mandat arresti të natyrës proceduese të urdhëruar nga gjykata themelore në Prishtinë  për sigurimin e prezencës  së të pandehurit në shqyrtim gjyqësor,” thuhet në njoftimin e policisë.

Për arrestimin e Xhelal Sveçlës reagoi edhe Komuna e Prishtinës, duke e quajtur “arbitrar të një drejtësie selektive, të orkestruar nga politika”.

“Sot në orët e mëngjesit Policia e Kosovës e arrestoi drejtorin e Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçlën, i cili ishte në vendin e tij të punës. Ky është arrestimi i dytë që po bëhet ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, në objekte të saj, pas arrestimit të Salih Zybës,” thuhet në reagimin e komunës.

Sveçla kërkohej me urdhër të gjykatës pasi akuzohet bashkë me 26 persona tjerë për përmbysjen dhe dëmtimin makinave të EULEX-it në vitin 2009.

Ai aktualisht ka mbërritur në gjykatë ku sot do të zhvillohet seanca e këtij gjykimi.

xhelal sveçla në gjykatë

Në janar të këtij viti Sveçla u kërkua nga policia në zyrat e Inspektoratit dhe në shtëpi, por nuk u gjet.

http://kallxo.com/policia-kerkon-xhelal-sveclen-per-veturat-e-eulex-it/

Sveçla, edhe pse i kërkuar nga gjykata mori pjesë në protestën opozitare të 17 shkurtit. Sveçla atëherë i tha KALLXO.com se po kënaqej në protestë.

http://kallxo.com/svecla-po-kenaqem-ne-proteste/