Foto-ilustrim

Arrestime për Marihuanë

Komunikata e policisë në Gjakovë shpjegon se si nisi aksioni gjatë të cilit u zbulua marihuana.

“Zyrtarët policorë nga Stacioni i Policisë së Gjakovës gjatë patrullimit në rrugët e qytetit kanë vërejtur një automjet dhe disa persona të dyshimtë. Në momentin kur policët kanë tentuar të afrohen, personat e dyshuar kanë ikur me shpejtësi, ndërsa policët kanë filluar ndjekjen e tyre,” thuhet në komunikatë.

Policia më tutje tregon se patrullës ndjekëse i janë bashkuar edhe njësi tjera, duke bërë të mundur arrestimin e dy personave të dyshuar për drogën që u zbulua.

Të arrestuarit janë personat me inicialet D. B. e A. I., të cilëve u është caktuar ndalimi policor 24 orësh.

Substanca narkotike sipas policisë u gjet në bagazhin e një automjeti.

“Në bagazhin e një automjeti është gjetur një thes najloni me dhjetë ( 10 ) paketime të mbështjella me qese najloni që dyshohet se janë të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Çdo paketim me peshë 1 kg. Janë konfiskuar tri automjete që dyshohet se janë shfrytëzuar nga të dyshuarit gjatë trafikimit me narkotikë,” thuhet në komunikatë.

Policia është në kërkim edhe të tre personave tjerë.

Edhe në Prishtinë dje Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona gjatë një kontrolle në Rrugën “Bill Klinton” dhe gjatë kontrollimit të tyre ka gjetur dhe konfiskuar dy qese të vogla plastike me marihuanë një blurës për marihuanë dhe një thikë.