Ariana Musliu-Shoshi kritikon LVV-në që nuk votoi për të ftuar në raportim zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu – Shoshi ka reaguar pasi në Komisionin për Punë të Jashtme, nuk kaloi propozimi i saj për të ftuar në raportim zëvendëskryeministrin për dialog, Besnik Bislimi.

Sipas saj, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk po e mbajnë në llogaridhënie ekzekutivin.

“Deputetët e VV-së nuk janë në Kuvend që ta mbajnë qeverinë në llogaridhënie, por janë vetëm votë që mbron qorras qeverinë”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.

Musliu-Shoshi ka thënë që opozita e vendit, nuk ka asnjë informacion se çfarë po ndodhë me procesin e dialogut në Bruksel.

“Pas më shumë se një muaj, sot u mbajt mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Ky komision e ka detyrë që të mbikëqyrë procesin e dialogut. Bazuar në këtë të drejtë, si opozitë që nuk kemi asnjë informacion sa i përket procesit të dialogut nga qeveria, propozova që të ftohet z. Bislimi në raportim në këtë Komision, por me shumicë votash nga deputetët e pozitës u refuzua kërkesa”, ka theksuar ajo.

Sot në Komisionin për Punë të Jashtme, deputetja e PDK-së kishte propozuar që në kuadër të transparencës për dialogun të ftohen në raportim, kryeministri Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi.

Propozimi për thirrjen e Bislimit në raportim, nuk i kishte marrë votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë pjesë në këtë Komision.