Ilustrim

Apple dhe Samsung gjobiten për ngadalësimin e qëllimshëm të telefonave

Hetimet italiane zbuluan se përditësimi i softuerit ‘ngadalëson performancën dukshëm’, duke nxitur blerje të reja.

Apple dhe Samsung në Itali janë gjobitur me 10 milionë euro, respektivisht me 5 milionë euro secila për “vjetërsimin e planifikuar” të telefonave të mençur (smartfonëve) të tyre.

Një hetim i ndërmarr në janar nga Autoriteti i Konkurrencës së vendit zbuloi se disa përditësime të softuerëve të telefonave të mençur (smartfonëve) kishin një efekt negativ në performancën e këtyre pajisjeve.

Ky hetim, i cili besohet të jetë vendimi i parë i këtij lloji ndaj prodhuesve të telefonave të mençur, pasoi akuzat që përditësimi i sistemit operativ për telefonat e vjetër i ngadalëson ata, duke inkurajuar kështu blerjen e telefonave të rinj.

Në një deklaratë, vëzhguesi i antitrustit tha se “Apple dhe Samsung kanë zbatuar praktika të pandershme tregtare” dhe se përditësimi i sistemit operativ “shkaktoi defekte serioze dhe performanca dukshëm të reduktuara, për të përshpejtuar zëvendësimin e telefonave”.

Vëzhguesit shtuan se të dy firmat nuk u kishin dhënë klientëve informata adekuate për ndikimin e softuerit të ri “ose për ndonjë mënyrë të rikthimit të funksionalitetit origjinal të produkteve”.

Samsung u tha përdoruesve të telefonit të tyre Galaxy Note 4 që të instalojë një version të ri të sistemit operativ Android të Google, të destinuar për modelin e fundit Galaxy Note 7, por përdoruesit pohuan se kjo gjë modelin e vjetër e kishte ngadalësuar.

Po ashtu, Apple u tha përdoruesve të iPhone 6 që të instalojnë një sistem operativ të dizajnuar për iPhone 7, duke shkaktuar probleme për përdoruesit e modelit të vjetër.

Të dy firmat janë gjobitur me shumën maksimale prej 5 milionë euro secila, dhe janë urdhëruar të shpallin një njoftim në ueb-faqet e tyre italiane duke i informuar konsumatorët për vendimin e vëzhguesëve.

Apple u gjobit me 5 milionë euro shtesë pasi që nuk ka dhënë informata të qarta për karakteristikat “thelbësore” të baterive të litiumit, duke përfshirë këtu, jetëgjatësinë mesatare të tyre, si t’i mbajnë ato, apo eventualisht t’i zëvendësojnë ato në pikat e iPhone.

Në dhjetor, Apple pranoi se kishte ngadalësuar qëllimisht iPhonët me bateri të degraduara duke përditësuar softuerin për të shmangur problemet e papritura të fikjes, por mohoi se kishte bërë ndonjëherë ndonjë gjë për të shkurtuar qëllimisht jetën e produkteve.

Kompania më vonë kërkoi falje për veprimet e saj dhe uli koston e zëvendësimit të baterive. Gjithashtu shtoi informacionin për shëndetin e baterisë për iOS dhe u mundësoi përdoruesëve fikjen e ngadalësimin të procesorit të iPhone.

Autoriteti italian i Konkurrencës hapi hetimet e tij pas ankesave të klientëve, njëkohësisht një hetim i ngjashëm kishe filluar edhe në Francë, i cili ende nuk ka përfunduar.

Sipas ligjit francez, është krim që qëllimisht të shkurtohet jeta e një produkti për të promovuar shitjet. Agjencia franceze e mbrojtjes së konsumatorit ka fuqinë të gjobisë deri në 5% të qarkullimit vjetor ose edhe dënime me burgim.

Në janar, Apple gjithashtu u përball me pyetjet e Senatit amerikan mbi çështjen e ngadalësimit të iPhone-ve dhe me një grumbull të padive të klasës së aksionit nga i gjithë vendi. U urdhërua, që më shumë se 60 padi të veçanta amerikane të bashkoheshin në një padi të vetme në Distriktin Verior të Kalifornisë, e cila ende nuk ka papërfunduar.

Përditësimet e softuerëve të telefonave Samsung nuk janë vënë në pyetje më herët.

Një zëdhënës i Samsung tha se kompania ishte e zhgënjyer nga vendimi dhe dëshiron të bëjë apel kundër gjobës: “Samsung nuk lansoi ndonjë përditësim softuerik që reduktoi performancën e Galaxy Note 4. Në të kundërt, Samsung ka lansuar gjithmonë përditësime softuerike duke u mundësuar klientëve tanë që të kenë përvojën më të mirë të mundshme.”

Apple nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

BURIMI: LINK

www.theguardian.com