Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony F. Godfrey.

Ambasadori i SHBA-ve në Serbi, mirëpret arritjen e marrëveshjes për targat

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Anthony Godfrey, e ka mirëpritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për targat.

Përmes një postimi në Twitter, Godfrey ka thënë se çdo gjë është e mundur përmes dialogut.

“Lajm i shkëlqyer! Çdo gjë është e mundur përmes një dialogu serioz dhe të përkushtuar”, ka shkruar Godfrey.

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat e automjeteve.

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Ja çka përmban marrëveshja për targat e arritur sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë