Ambasadorët diskutojnë sfidat e Kosovës lidhur me anëtarësimin në BE

Ambasadorët e Kroacisë, Finlandës e Rumanisë u mblodhën sot në një tryezë me temë anëtarësimin e Kosovës në BE.

Me organizimin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS),  tryeza“Rruga e Integrimit Europian, një vision nga Trio e Presidencës së Këshillit të Evropës” nxorri konkluzionet mbi reformat e nevojshme për këtë anëtarësim.

Ambasadorja kroate Marija Kapitanovic tha se nuk është që vetëm Kosovës po i kërkohen kushte specifike për t’i plotësuar

“Nuk është vetëm Kosova që po i kërkohen disa çështje të rëndësishme. Paralel me MSA-në, BE-ja ka filluar edhe me qasjen regjioniale. Raportet regjionale kanë qenë kusht për të gjithë. Derisa Kroacia u bë anëtare e Bashkimi Europian kanë qenë disa kushte si marrëveshja regjionale, demokratizimi i mediave, implementimi i marrëveshjeve, të cilat është dashur t’i plotësojë. Një çështje tjetër e rëndësishme ishte edhe bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Dhe ajo çfarë është e rëndësishme është që ta informoni publikun për BE-në në mënyrë konstruktive dhe për këtë BE-ja është me ju”, ka thënë Kapitanovic.

Ndërsa ministrja e Integrimit Europian në Kosovë Dhurata Hoxha ka thënë se e vetmja alternativë për shtetin e Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Në këto përpjekje numërojmë shumë arritje, ndërsa muajin e ardhshëm është 3 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Stablizim-Asocimit(MSA) , ndërsa ministria që e drejtoj mbikëqyr zbatimin e MSA-së. Gjatë vitit 2019 presim që t’i kalojmë planet për zbatueshmëri, ndërsa ne po përballemi edhe me sfida, si liberalizimi i vizave. Qytetarët tanë vazhdojnë të mbesin të izoluar, kurse kemi raste të panumërta ku qytetarët tanë kanë humbur raste jetësore për shkak të vizës. Unë mirëpres vizionin e BE-së dhe shpreh përkushtimin për bashkëpunim për të realizu vizionin e përbashkët”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa ambasadorja finlandeze ka thënë se paqja në Ballkan është shumë e rëndësishme dhe se Kosova si një vend i vogël mund të përfitojë shumë nga benefitet e BE-së, ndërsa ka potencuar se Kosova pa i plotësuar reformat nuk mund të bëjë progres.