Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Albin Kurti në Paris në Kongresin e Partisë Socialiste

Lëvizja Vetëvendosje njofton se Albin Kurti dhe Boiken Abazi po qëndrojnë në Paris në Kongresin e Partisë Socialiste.

Sipas Vetëvendosjes Kurti e Abazi janë ftuar në punimet e kongresit të 78 të kësaj partie, bashkë me delegacione ndërkombëtare të partive socialdemokrate.

“Kongresi do të shpalosë raportet e aktiviteteve, të vendosë për linjat e reja të orientimit politik të partisë, të diskutojë mbi rilindjen e së majtës evropiane si dhe do të prezantojë rezultatet e zgjedhjeve të brendshme për Sekretar të Parë, që kanë nxjerr fitues z. Olivier Faure”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Në komunikatë bëhet e ditur se Kurti të hënën në Paris do të mbajë edhe një prezantim publik në Fondacionin “Jean Jaurès” mbi situatën politike dhe ekonomike në Republikën e Kosovës.