Pamje nga punimet e tryezës. Foto: KALLXO.com

Albanologët kujtojnë Kongresin arsimor të Lushnjës

Organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës është mbajtur sot tryezë shkencore, “Kongresi arsimor i Lushnjës dhe gjuha shqipe”.

Kjo tryezë shkencore ishte planifikuar të mbahej në gusht të vitit që shkoi, në 100 vjetorin e këtij kongresi, por për shkak të situatës me COVID-19, tryeza ishte shtyrë për sivjet.

Albanologët shqiptarë shpalosën gjatë kësaj tryeze momentet dhe vendimet më të rëndësishme që ishin marrë 100 vjet më parë në Lushnje për konsolidimin e sistemit arsimor shqiptar.

Naim Berisha, shef i Degës së gjuhësisë në IAP, ka thënë gjatë fjalës hyrës se në Kongresin arsimor të Lushnjës u vendos që arsimimi i fëmijëve të jetë i detyrueshëm, hartimin e një abetare të përbashkët, si dhe përdorimin e librave të njëjtë në të gjitha shkollat.

“Ky kongres  përfilli dhe zyrtarizoi shumë nga vendimet që ishin marrë më parë në Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës të vitit 1916-1917. Pra, në Kongres u vendos që gjuha letrare të bazohej kryesisht në të folmen e Elbasanit”, ka thënë ai në fjalën hapëse të tryezës shkencore.

Kongresi arsimor i Lushnjës i filloi punimet më 15 gusht 1920 në Lushnje të Shqipërisë.