Aktakuzë për Keqpërdorim Detyre ndaj Ragip Begajt
Prokuroria Speciale ngriti sot aktakuzë ndaj kryetarit të Malishevës Ragip Begaj për keqpërdorim të pozitës, apo autoritetit zyrtar.
Kjo prokurori lajmin e ngritjes së aktakuzës e bëri të ditur me anë të një komunikate.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Ragip Begaj, gjatë muajve qershor – gusht të vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij, me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëm, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.
Prokuroria e Shtetit pretendon se edhe pse i dëmtuari kishte kontratë të lidhur me Drejtorinë e Arsimit deri me 01.10.2015 si drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët ‘Ganimet Tërbeshi’ në fshatin Astrazub, i pandehuri me dashje dhe me dijeni ka hapur konkurs pa ia ndërprerë më parë marrëdhënien e punës të njëjtit, duke e lënë pa vend pune dhe të ardhura për jetën.
KALLXO.com kontaktoi edhe me kryetarin e Komunës së Malishevës Ragip Begajn, por ai nuk e komentoi aktakuzën, ngase tha se ende nuk ka marrë asgjë zyrtare.
Po ashtu KALLXO.com provoi të marrë përmes telefonin edhe personin e dëmtuar sipas aktakuzës, por i njëjti nuk u përgjigj në telefon.
Komuna e Malishevës ka shumë probleme në arsim, ndërsa për shkak të tyre mandati i kryetarit Begaj nisi me protesta nga disa mësimdhënës të larguar, ndërsa tash ka problem edhe në Qendrën e Kompetencës.
Aktakuza ndaj Begajt është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale që i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtor dhe dënimin e të akuzuarit sipas ligjit.