Aktakuza 'pa zë' për fondin 3 për qind

Disa ditë më parë Prokuroria e Shtetit me anë të dy komunikatave zyrtare njoftoi se është ngritur aktakuzë kundër një personi për kërcënimin e kryeministrit Haradinaj në emër të ISIS-it.

Prokuroria u kujdes të përshkruante gjithë përmbajtjen kryesore të aktakuzës së ngritur kundër B.E.

Po ashtu Prokurori i Shtetit e njoftoi opinionin se gjatë muajit mars kishte ngritur aktakuza kundër 1773 personave.

Me njoftim zyrtar ishte paraqitur edhe kur 30 praktikantë kishin përfunduar praktikën në Prokurorinë e Prizrenit.

Mirëpo institucioni i Prokurorit të Shtetit kështu nuk kishte vepruar edhe në rastin kur kishte ngritur aktakuzë ndaj një ish- Kryeministrit, Bujar Bukoshi për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove të Fondit 3 për qind.

I pyetur nga KALLXO.com, se pse nuk kishte pasur njoftim për aktakuzën kundër ish- Kryeministrit, Bujar Bukoshi, Prokurori Special Sylë Hoxha tha se vetë është njoftuar nga mediat për ketë aktakuzë.

“Nuk e di nuk është çështje e imja ajo, është çështje e kryeprokurorit dhe organizimit të tij, un kam marr vesh nga mediat qe aktakuza është ngritur më herët”, tha Hoxha.

Kallxo.com ka provuar disa herë të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Prokurorisë Speciale, Hekrem Lutfiu, mirëpo i njëjti nuk ishte i qasshëm.

Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017. Ata po akuzohen për keqpërdorimin e Fondit 3 për qind, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë  së Kosovës në ekzil.
Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën UFORK, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Prokuroria Speciale po pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në Fondin e 3 për qind.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë tërhequr.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3 për qind.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore pasi dyshohet nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.

Historia e Gjykimit 

Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Për këtë aktakuzë nuk ishte informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.

Rasti ishte i heshtur edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar për të cilin nuk ishte i informuar askush.

Për shkak të gjendjes shëndetësore procedura gjyqësore ndaj ish- Kryeministrit Bukoshi ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.

Procedura kishte vazhduar ndaj deputetit Osmani dhe Atdhe Gashit, dhe më datë 26 tetor 2018 ndaj tyre ishte mbajtur shqyrtimi i dytë në të cilin të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj.

Kërkesat për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018 ndërsa ndaj këtij vendimi të akuzuarit kishin ushtruar ankesë.

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019, i ka refuzuar ankesat dhe e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Lënda i është ndarë gjyqtares Medie Bytyçi për gjykim dhe KALLXO.com, mëson se ende nuk është caktuar data e vazhdimit të gjykimit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë në lidhje me këtë çështje edhe njërin nga avokatët që ka mbrojtur dy prej të akuzuarve në procese tjera në të kaluarën por nuk ka pranuar përgjigje.

https://kallxo.com/dosja-e-prokurorise-si-i-avulluan-fondet-e-tre-perqindeshit/