Kombëtarja e Kosovës gjatë stërvitjes- Foto: Atdhe Mulla

Ajet Shosholli e Arbnor Morina: Kosova kundër Maltës duhet të luajë lojë sulmuese

Kanë mbetur më pak se 24 orë deri në fillimin e ndeshjes Kosova – Malta, që luhet nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Nga dy ndeshjet e kaluara, Kombëtarja e Kosovës ka grumbulluar 4 pikë, duke fituar ndaj Ishujve Faroe dhe barazuar me Azerbajxhanin.

Kjo tregon se djemtë e Bernard Challandes po gëzojnë një formë mjaft të mirë para ndeshjes së nesërme ndaj Maltës.

KALLXO.com ka kontaktuar trajnerët dhe specialistët e futbollit, Ajet Shoshollin dhe Arbnor Morinën, për të folur për ndeshjen e nesërme se a duhet Kosova të luaj lojë sulmuese apo të mbrohet.

Eksperti i futbollit dhe ish-trajneri  i njohur Ajet Shosholli ka thënë për Kallxo.com se Kosova nesër kundër Maltës duhet të sulmojë dhe të bëjë trysni, por duhet të jetë e kujdesshme në mbrojtje.

“Mendoj që Kosova duhet të sulmojë dhe të bëjë trysni ndaj ekipit të Maltës. Por duhet të jetë shumë e kujdesshme në mbrojtje”, ka thënë Shosholli.

Ai ka shpjeguar se përse Kosova duhet të sulmojë Maltën në lojën e nesërme.

“Pse të sulmojë? Sepse kjo trysni apo sulmet e shpeshta mund ta detyrojnë kundërshtarin të gabojë në vendosjen e tyre pozicionale apo në rënien e koncentrimit, natyrisht nëse përcaktohemi për një formacion sulmues”, ka theksuar Ajet Shosholli.

Ajet Shosholli

Ndërsa njohësi i futbollit dhe ish-trajneri Arbnor Morina thotë se Kosova si vendase duhet të sulmojë dhe të realizojë stilin e saj të lojës.

“Ato gjëra i përcakton seleksionuesi, duke e ditur se me çfarë lojtarë ka të bëjë, a i ka të gjithë të gatshëm për lojë dhe a janë të gjithë brenda konceptit të cilin e zgjedh ai. Mirëpo në përgjithësi me e marrë si vendas gjithmonë duhet me sulmu më tepër dhe me e bërë stilin tonë të lojës”, ka thënë Morina për Kallxo.com.

Tutje Morina ka thënë se duhet të analizohen kundërshtarët se në cilat pika janë më të fortë dhe të dobët në mënyrë që të organizohet loja në ato pika.

“Duhet me u analizua mirë edhe ekipi kundërshtar në cilën pikë janë ma të fortë e në të cilën janë më të dobët që me u mundu me organizu lojën nga ato pika. Këto janë gjëra të cilat i zgjedh selektori me shtabin e tij teknik. Duhet të ketë kujdes vija e jonë e fundit- mbrojtja në topat që hyjnë nga krosimet së bashku me portierin. Mesfusha e jonë duhet me qenë agresive me mesfushën e tyre”, ka përfunduar Arbnor Morina.

Arbnor Morina