Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti - Foto: Facebook

Ahmeti: Në vend të ndihmës për 'Notre Dame', të ndihmohen rastet sociale

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur kundër propozimit të Qeverisë për ndarjen e mjeteve për restaurimin e katedrales, Notre Damë.

Ahmeti përmes një postimi në “Facebook”, tha se me fondet që të do të ndahen për katedralen në Paris, sipas tij, do të ishte më mirë të investohej në raste sociale.

“Qeveria e Kosovës paska ndarë mjete për Katedralen e Notre Dame. Përderisa kjo tragjedi ka prekur gjithë botën e edhe Kosovën, po ashtu ka ngjallur edhe solidaritet gjithandej. Duke parë lajmet botërore shihet që paratë nuk do të jenë problemi i riparimit të katedrales, e cila me shpresë do të renovohet shpejtë”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, Qeveria duhet të intervenojë në dëmtimet nga zjarri e që familjet e prekura nuk kanë mundësi t’i reparojnë.

“Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë ti ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata”, ka thënë i pari i Prishtinës.

Tutje, ai ka shkruar se Kosova, Francës ja ka dëshmuar miqësinë dhe solidaritetin sinqerisht.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donatorëve, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Francës, Didier Chabert, ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë që të ndihmojë restaurimin e katedrales Notre Dame.

Katedralja Notre Dame në Paris u përfshi nga zjarri më 15 prill, dyshohet se zjarri ishte shkaktuar aksidentalisht.

https://kallxo.com/qeveria-pritet-te-ndaje-mjete-per-katedralen-notre-dame/