Aderimet dhe largimet e figurave publike nga Nisma Socialdemokrate

Nuk janë të rralla rastet kur skenës politike në vend i bashkohen edhe qytetarë që me profesion janë artistë, gazetarë e fusha të tjera.

Partisë NISMA Socialdemokrate në krye me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limajt, së fundmi i është bashkuar regjisori i njohur, Ben Apolloni.

Apolloni ka mbaruar studimet për regji teatri dhe master për regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë dy vjet anëtar I bordit të Qendrës Kinomatografike të Kosovës dhe nga janari deri në qershor 2016 zv.kryeredaktor i revistës ‘Plisi’ në Cyrih të Zvicrës.

Ai ka realizuar disa filma të shkurtër si regjisor e skenarist, të shpërblyer me çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si dhe disa shfaqje nëpër teatro të ndryshme në Kosovë e Maqedoni.

Në fillim të vitit 2018, vargut të anëtarëve të kësaj partie, i ishte bashkuar edhe moderatori i transmetuesit publik, Resul Sinani.

Por, rrugëtimin e tij një vjeçar në ‘trenin’ e NISMA Socialdemokrate, Sinani e kishte përfunduar javën e kaluar.

Largimin e tij e kishte bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke lënë të nënkuptoj se nuk do t’i ndahet politikës.

“Gjatë këtij viti të angazhimit tim në politikë, megjithatë IDEJA për të hyrë në politikë nuk është shuar tek unë, përkundrazi, është forcuar dhe është formësuar. Sot, pavarësisht se a do të jem pjesë e ndonjë subjekti politik apo jo, unë rreshtohem fort dhe i bindur krah atyre që mendojnë se Kosovës i duhet NDRYSHIMI i skenës politike! Çdo ditë që po kalon, ky ndryshim po bëhet më i nevojshëm dhe më i domosdoshëm, por ai mund të ndodh vetëm përmes votës. Kur them ndryshim, e kam fjalën për ndryshim të vërtetë të skenës politike e jo të tilla si deri më tani për të cilat në fund kemi mbërritur në konstatimin se “Ujku qimen e ndërron, por zanatin s’e harron”, kishte shkruar mes tjerash ai.

https://kallxo.com/resul-sinani-tregon-pse-u-largua-nga-nisma/

Gjithashtu, ish-gazetari, Milaim Zeka ishte radhitur më 18 maj të vitit 2017.

Ai bashkangjitjen e tij e kishte quajtur me arysetimin për “ t’i ndihmuar vendit dhe gazetarëve”.

Para dy viteve NISMA Socialdemokrate ka bashkuar ‘forcat’ me partinë PDK dhe AAK, e cila njihet si koalicioni PAN.

Kjo parti është formuar në vitin 2014 nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi.

Megjithatë Milaim Zeka ka kritikuar partinë e tij për punësime politike.

Fatmir Limaj në një intervistë për Kosovapress më 14 prill të këtij viti kishte thënë se Zeka nuk është në strukturat e partisë që ai e udhëheq.

“Milaimi nuk është anëtar i Nismës, nuk është aktivist i Nismës, e as nuk është në strukturat e Nismës. Ai, thjesht, është një deputet i pavarur që ka konkurruar në listat e Nismës dhe ka qëndrime të pavarura dhe sillet i pavarur si deputet i Kuvendit të Kosovës”, kishte thënë ai.

https://kallxo.com/gazetaret-kosovare-turren-ne-politike/