8 Marsi ‘festohet’ me protesta në Kosovë

Me moton “Marshojmë, s’festojmë” qindra mijëra gra e burra kanë protestuar sot në disa prej komunave të vendit.

Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, e gjen Kosovën në një pozitë jo të mirë me të drejtat e grave dhe me pabarazi gjinore, andaj, sipas organizatorëve nuk ka arsye për festë por për protestë.

Sipas një raporti të publikuar sot nga organizata jo- qeveritare Demokraci Plus, gratë nuk përfaqësohen mirë në politikë. Sipas të dhënave, Qeveria aktuale me Ramush Haradinajt kryeministër nuk është shembulli më i mirë për barazi gjinore, përfaqësim të grave në politikë dhe pozita udhëheqëse.

“Në poste ministrore janë emëruar tri gra në mandatin e kaluar dhe dy gra në këtë mandat edhe pse numri i ministrive kalon numrin 20. Ndërsa, nga 76 zëvendësministra të identifikuar nga D+ në këtë mandat, vetëm gjashtë prej tyre ishin gra. Asnjë nga partitë politike që kanë garuar në zgjedhje nuk kanë pasur të nominuar një grua për kryeministre. Përveç kësaj, asnjë grua nuk është emëruar në postet të zëvendës-kryeministres” thuhet në një komunikatë për media të D+.

Prishtina Marshon, S’feston

Për të kundërshtuar këtë qasje institucione ndaj pozitës së gruas, në qytet kryesore të Kosovës u organizua protestë me moton “Mashojmë s’festojmë’.

Sheshi “Zahir Pajaziti”në kryeqytet priti qindra gra e burra të premten në mesditë. Përfaqësues të organizatave civile, përfaqësues të partive politike, profesorë universitar e qytetarë të thjeshtë u dëgjuan duke thirrur “Marshojmë s’festojmë”.

Adelina Tërshani, njëra nga organizatorët e protestës tha se pozita e gruas në Kosovë është keqe, ndërsa tha se në këtë ditë nuk ka vend për festë.

Foto: Atdhe Mulla

“Ne nuk kemi nevojë të festojmë kur po na mbyten gratë. Pabarazia gjinore i pengon gratë, të bëhemi bashkë ta luftojmë pabarazinë ndaj grave. Ne sot s’festojm por protestojmë” tha ajo para protestuesve.

Pjesë e protestës ishte edhe profesoresha universitare Remzije Shahini- Hoxhaj. Ajo tha se në kohën e fundit u janë shkelur të drejtat grave, andaj edhe vendosi të dal në protestë.

“Protestës iu bashkëngjita sepse mendoj qe sidomos ne kohen e fundit kane ndodh shume shkelje të të Drejtave te Grave për të cilat sot më shumë se kurrë është dashtë të protestohet duke filluar nga vrasja e dyfishtë në Gjakovë e deri tek abuzimi me të miturën nga Drenasi” tha profesoresha universitete, Shahini- Hoxhaj për KALLXO.com.

Foto: Atdhe Mulla

Ajo vendosi që të shënoj 8 marsin në një mënyrë tjetër në vendin e saj të punës. Studentët e saj patën një mysafir më ndryshe se zakonisht.

“Duke qenë Dita Botërore e Gruas 8 marsin unë kam vendos ta shënoj në formë tjetër. Sot kam sjell për një ligjëratë para studenteve te mijë Uta Ibrahimin e cila ishte Shqiptarja e pare qe e pushtoj Everestin” tha profesoresha Remzije Shahini- Hoxhaj për KALLXO.com.

Dita e 8 marsit nuk është ditë feste as dita e nënës, por duhet të jetë ditë proteste. Kështu ka vlerësuar Mevlyde Hyseni, aktiviste e shoqërisë civile në Prishtinë.

Foto: Atdhe Mulla

“Në kuadër të iniciativës “Marshojmë, S’festojmë”, sot kam vendos me marshu për mundësi dhe të drejta të barabarta për gratë dhe burrat. 8 marsi nuk është dite festë, nuk është dita e nënave, siç është keqkuptuar një kohë të gjatë në Kosovë, por është një date e cila dëshmon që gratë ende nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre në mënyrë të barabartë me burrat” tha ajo për KALLXO.com.

Ferizaj me performancë artistike për 8 Mars

Me protestë dhe performancë artistike të shoqëria civile në Ferizaj ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të 8 Marsit.

Me moton “Marshojmë, s’festojmë” aktivistet e organizatave jo- qeveritare kërkuan barazi për gratë.

“Nëpërmjet marshit ne përcollëm mesazh në shoqëri në ngritjen e ndërgjegjësimit të tyre, të mbështetin gratë të realizojnë të drejtën e tyre në arsimim, edukim, punësim, në familje, në shoqëri pa qenë të diskriminuara, por duke respektuar gruan jo sepse është grua por sepse është NJERI” thuhet në komunikatën e shoqërisë civile.

Foto: Bardha Goga

Dhunën ndaj grave, të rinjtë ferizajas e prezantuan përmes një paraqitje artistike.

“Gjatë marshit, u prezantua një performancë e tetë  vajzave të reja, përmes së cilës shprehën në mënyrë artistike dhunën dhe keqtrajtimin që po u bëhet shumë nënave dhe grave shqiptare” thuhet në komunikatë.

Mitrovica kërkon që gratë të përfaqësohen më mirë

8 Marsi u shënua me protestë edhe në qytetin e Mitrovicës. Gratë e kësaj komune marshuan përgjatë sheshit kryesor të qytetit deri para Kuvendit Komunal.

Organizatorët e protestës “Mitrovica Women Association for Human Rights” thënë se përmes protestës dëshiruan të qojnë mesazhin se gruaja meriton përfaqësim më të mirë.

“Qëllimi i marshit ka qenë të përçojmë mesazhe tek institucionet dhe popullata se gruaja duhet te përfshihet në të gjitha proceset e vendimmarrjes dhe paqe bërjes duke filluar prej institucionit familjar te deri tek ato qeveritare” thuhet nga kjo organizatë për KALLXO.com.

Mitrovicasja, Diellza Avdiu tha për KALLXO.com se nuk mund të festohej në këtë ditë kur çdo ditë shohim të padrejtat që na bëhen.

“Sot ne gratë në Mitrovicë Marshuam e nuk festuam. Çdo ditë shohim realitetin e gruas në Kosovë e në qytetin tim, sot ne treguam dhe u bëjmë me dije institucioneve që mos na shohin si numër kur vjen koha e zgjedhjeve por si gra që mundemi dhe meritojmë pozita të mira” tha Diellza Avdiu.

Edhe gratë e Prizrenit kërkojnë barazi gjinore

Shumë gra e burra u panë edhe në Prizren me 8 Mars. Nën organizimin e organizatës jo- qeveritare “FEMaktiv” në këtë komunë u protestua për barazi gjinore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, “FEMaktiv” thanë se pozita e gruas në Kosovë është e pafavorshme. Ndërsa, organizatorët pas përfundimit të marshit protestues thurën një kurorë në shenjë solidarizimi për gratë viktimë të dhunës.

“ Pas marshimit nga ana e protestuesve është thurur kurora si shenjë solidarizimi me gratë që ne si shoqëri dështuam t’i mbrojmë nga dhuna” thanë nga kjo organizatë.

Protestë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas u paralajmërua edhe në të paktën shtatë qytete shqiptare.

“Në Tirane, Shkup, Prishtine, Prizren, Mitrovice, Gjilan, Ferizaj e shume vende tjera te botes me 8 mars nuk festohet por protestohet, sepse ende s’ka arsye me festu!” paralajmëroi një ditë më herët Dashurije Uksmajli Sefa, aktiviste e shoqërisë civile në Ferizaj.

8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas. Kjo datë është personifikimi i luftës së grave, fillimisht në Neë York për barazi në vitin 1909.