7 vjet burg për akuzën e keqpërdorimit seksual të 13 vjeçares

Gjykata Themelore në Ferizaj, i ka shqiptuar 7 vjet burg të akuzuarit me inicialet B.S. nën akuzën e keqpërdorimit seksual të personit nën 16 vjeç.

Në një njoftim për media të Gjykatës në Ferizaj, thuhet se Departamenti për të Mitur pranë kësaj gjykate, sot ka gjetur fajtor dhe dënuar me 7 vjet burg të akuzuarin me inicialet B.S për shkak të keqpërdorimit të  dëmtuarës  13 vjeçare.

“Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Kadrije Goga – Lubishtani, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar, administrimit të të gjitha provave, pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit B.S, për veprën penale keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet nga neni 235 paragrafi 2 nën paragrafi 2.3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatë (7)  vjet”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Ferizaj.

I pandehuri akuzohet se në muajin janar 2018, në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën fëmijë të moshës trembëdhjetë (13) vjeçare.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjyaktën e Apelit.